Shpirti i teatrove të vjetër Protesta e 16 prillit 2018 në mbrojtje të ndërtesës së Teatrit Kombëtar nga prishja. Në foto, aktori Robert Ndrenika.

Shpirti i teatrove të vjetër

13:49, 17/04/2018
A+ Aa A-

Nga Charles Dullin, kujtime dhe shënime të një aktori.

Teatrot e vjetër kanë vështirësitë e tyre. Duhet t’i duash shumë për t’ua falur mungesën e komoditeteve që pengojnë punën e zvogëlojnë mundësitë për t’u shprehur. Sigurisht që kjo është një çështje sentimentalizmi. Nuk dua t’i thurr lavde, as mureve të vjetër të nxirë nga koha, as llozhave të parehatshme stolisur me skica parmakësh, as atij fushimi endacakësh rreth një skene ku lëvizin qenie të trilluara, hije të para në ëndërr, por më lejoni të shpreh atë që mendoj thellësisht : shumica e progreseve mekanike nuk i sjell asgjë të re teatrit tani për tani. Ato nuk u shkojnë përshtat veprave që ne prezantojmë. Ato nuk nisen nga një inteligjencë e vërtetë e artit tonë ; janë të varfra, shumë të varfra përsa i përket iluzionit. Dhe përçmuese përballë shpirtit.

ImageTeatri më i bukur në botë është një kryevepër me katër skena ; është pelerina e zezë e Hamletit që e vetme mjafton për të na kujtuar Elsenorin dhe dramën që imagjinata jonë e kërkon akoma më të mistershme se ç’e ka realizuar poeti ; është Makdufi te Makbethi që rras në kokë kapelen me nje gjest të ngathët kur e lajmërojnë për masakrën e fëmijëve të tij : «Eh! njeri, përse e rrasni ashtu kapelen?» ; është Sganareli duke arsyetuar me zotërinë e tij mbi të vërtetat e mëdha të kësaj bote dhe që, në kulmin e zenkës, e lëshon vehten duke ardhur vërdallë; është, po të largohemi akoma më shumë në kohë, Oresti, i ndjekur nga qentë.

Teatri më i bukur në botë është në besimin, në dashurinë për artin tonë, në lartësimin e përhershëm të shpirtit. Atje duhet kërkuar ai dhe jo në paraqitjen e lukseve të panevojshme. Shumica e teatrove moderne brenda disa javëve mund të kthehen pa shumë dëm në banka e dyqane. Për mua, ato nuk kanë shpirt. E dua teatrin tim sepse është një teatër i vërtetë.

Shkoni në sheshin Dancourt, shikojeni mirë e do ta pëlqeni ashtu si dhe unë. Ai është i papërshtatshëm për t’u kthyer në tjetër gjë ; as kinemanë nuk e ka pranuar. Ka strehuar aq shumë personazhe të shquar. Përfytyroni tërë ata mbretër, tiranë, heronj, dashnorë, vagabondë të rrezikshëm, shtojzavalle e perëndi që ka parë në shkëlqimin e skenës dhe në intimitetin e llozhave! Muret e tij mbajnë të mbyllura aq shumë thirrje, ankime, dënesa ; ai është i shenjtëruar nga mijëra kujtime ; ai ka autoritetin e shenjtë të fanarëve mbi bregdet dhe të afron prehjen shpirtërore të kishave të fshatit.

Hyni brenda… A s’është një vend simpatik, i dashur e i përzemërt ? A gjendet teatër tjetër si ai, ku fjalët, kur thuhen me mjeshtëri, ruajnë gjithë shijen e tingullin e tyre ?… A s’është teatër i bukur ai ku pjesa dëgjohet në mënyrë të përsosur ? Prandaj, kur me delikatesë dhe me mirësjellje, që s’do di asnjëherë si ta falenderoj, Philippe de Rothschild i propozoi Cartel-it që të drejtojë teatrin e mrekullueshëm të Pigalle-it, thashë me vete: Çfarë? Do të le të gjitha këto për një tempull modern që nuk e di se kush është Buridan-i? Nuk do shoh më të shtunave në darkë sallën e mbushur me miq të panjohur ? Ç’do të thonin ata kur të më shihnin tek vrapoja nga paratë, ata që më janë gjendur në ditët më të vështira? Teatri më i bukur në botë, është teatri im, ku shpirti ka triumfuar mbi kushtet. Nuk është makina që zbret perënditë mbi skenë, por janë perënditë, ato që na duhen.

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco