'Do t’ju marr me vete në Itali', Drejtori i 'Giffoni-t' ka plane për të rinjtë shqiptarë

'Do t’ju marr me vete në Itali', Drejtori i 'Giffoni-t' ka plane për të rinjtë shqiptarë

21:55, 04/11/2017
A+ Aa A-

Fundi i nëntorit sjell në Shqipëri Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për Fëmijë dhe të Rinj “Giffoni Shqipëra”, siç ka ndodhur për 12 vite rresht.

Do të prezantohen 8 filma, ndër të cilët 4 janë prodhime kinematografike shqiptare.

Në konferencën e sotshme për shtyp, drejtori i “Giffoni Shqipëria”, Namik Ajazi dhe drejtori i “Giffoni Film Festival” Claudio Gubitosi, nuk i thirrën gazetarët vetëm për të lajmëruar festivalin e përvitshëm që i dedikohet moshës së re, të cilës kinematografia shqiptare prej vitesh nuk i kushton asnjë film. “Giffoni” sjell dhe ca lajme të mira. Sepse një ndryshim i madh që po ndodh tek ky festival, përkthehet me mundësi formimi e punësimi për të rinjtë shqiptarë. 

“Ky është viti i fundit i “Giffoni”-t ashtu siç ne e kemi parë për 12 vjet. Ky vit do t’i paraprijë një ndryshimi shumë të madh. Shqipëria e mbaroi misionin e njohjes së fëmijëve dhe të rinjve me kinemanë. Ne do të zgjerojmë gamën e atyre që kemi bërë deri më sot, edhe pse nuk janë pak, sepse kemi përfshirë me “Giffoni”-n për gjithë këto vite 45 mijë fëmijë e të rinj, që na kanë përfaqësuar dhe kanë lënë gjurmë.  Vitet 2018, 2019 dhe 2020 do të na çojnë drejt një Giffoni që do të prodhojë kienastët e ardhshëm që do të punojnë për kinemanë”, u shpreh gjatë konferencës për shtyp drejtori i “Giffoni Shqipëria”, Namik Ajazi. 

Detajet e këtij ndryshimi dhe se çfarë do ndodhë së shpejti i sqaroi drejtori i “Giffoni Film Festival” Claudio Gubitosi

“Në tre vitet e ardhshme “Giffoni” do të hyjë në një rrugë që do ta bëjë edhe më të fortë në raport me shoqërinë. Objektivi im është që të punësoj të rinjtë nëpërmjet kinemasë, artit, kulturës, televizionit”. 

Platforma e re e “Giffonit” parashikon që në Tiranë të formohet një grup  të rinjsh nga Universiteti i Arteve por jo vetëm. Edhe nga Ekonomia, marketingu, komunikimi dhe ky grup do favorizojë zhvillimin e shumë aktiviteteve në Tiranë dhe Shqipëri, duke u kthyer në një formë të vërtetë punësimi për të rinjtë. 
Ja se si do të bëhet e mundur kjo: “Një numër i caktuar të rinjsh studentë do t’i marr me vete në Itali, do krijojmë grupe edhe me të rinj nga vende të tjera të botës që të mendojë si “Giffoni”, që do të quhen Giffoners. Ata që duhet të kuptojnë mirë formën, idenë dhe filozofinë tonë për ta aplikuar më pas në vendet e tyre”, shpjegoi Gubitosi.

Nuk ishte i vetmi objektiv ky. Sepse është edhe “Mai Giffoni”, që i fton të rinjtë nga të gjitha cepat e Shqipërisë, që me anë të smartphoneve ose videokamerave, të realizojnë video prej 10 minutash mbi tema të ndryshme e të thjeshta, si shkolla, familja, qyteti. “Prej tyre ne do mund të kuptojmë më mirë dashurinë që ata kanë për Shqipërinë, shkollën, familjen” shpjegoi Gubitosi. Edhe këtu një mundësi tjetër për të rinjtë e talentuar shqiptarë, sepse 10 historitë më interesante do bëhen filma me mbështetjen teknike, artistike dhe financiare të “Giffoni”-t. 

“Objektivi tjetër është të vendosim një fokus mbi gjithë punët e studentëve të shkollave të filmit dhe unë njoh shumë të rinj me potencialë të mëdha. Ne të “Giffoni Albania” duam t’u japim mundëisnë këtyre të rinjve që ata të njihen dhe të shprehin aftësitë e tyre. Këta të rinj do të jenë pjesë e festivalit Giffoni 2018  me 4 kurse prej 400 studentëve më të mirë, intrigues e ambiciozë”, tregoi më tej Claudio Gubitosi, duke theksuar se “Giffoni” ka ndër mend të qëndrojë gjatë në Shqipëri dhe të sjellë shanse të tilla për të rinjtë shqiptarë, sepse Giffoni nuk është vetëm java e festivalit.

Çdo dy muaj duhet të bëhet diçka këtu në Shqipëri, nëse do vijë edhe mbështetja e institucioneve tona. “Talentet shqiptarë dua t’i marr në “Giffoni” në Itali e dua t’i specializoj sidomos në marketing. Nëse kemi një produkt të mirë, ai duhet të shitet të me gjuhë e komunikim modern”, përfundoi Claudo Gubitosi.

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco