Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ Droga e Xibrakës

Historia e Pekinit, nga sheshi 'Tienanmen' deri tek Muri i Madh

Historia e Pekinit, nga sheshi 'Tienanmen' deri tek Muri i Madh

13:28, 24/10/2017
A+ Aa A-
Pekini është një ndër qytetet me numrin më të madh të trashëgimive kulturore në botë. Nga arkitektura deri tek kultura, gjithçka duhet të dini mbi kryeqytetin kinez...

Qindra vjet më parë, Pekini u ndërtua për të shpërfaqur idealin më të lartë të Perandorisë Kineze. Edhe në ditët e sotme ende gjenden gjurmët e një pjesë integrale të teorive të fengshui-t dhe bagua-së. Si një kryeqytet perandorak për mbi 800 vjet, funksionet e Pekinit për të treguar idealet morale dhe humaniste janë më të dukshme se funksionet e banimit.

Pekini, kryeqyteti i Kinës, është qyteti me bazat më të shumta kërkimore- shkencore, por edhe me arsimin më të zhvilluar në Kinë. Si qendra e shkëmbimeve me botën e jashtme në shumë fusha, si politike, kulturore, ekonomiko-tregtare etj. Pekini është më tërheqës për elitën në krahasim me qytetet e tjera, si dhe nxit kultivimin e njerëzve të aftë. Pekinasit janë kryesisht njerëz të ngeshëm. Ata ose të huajt që vijnë në Pekin mund të takohen shpesh nëpër bulevarde apo parqe, pika turistike etj. Gjatë pushimeve apo fundjavës, pekinasit pëlqejnë të dalin me familjen dhe miqtë për të pirë diçka apo për të ngrënë në restorante, ose edhe të luajnë me letra. Megjithatë, përveç këtyre ata janë edhe shumë të dhënë pas veprimtarive sportive. Historia dhe kultura e pasur kanë kultivuar një atmosferë të theksuar kulturore në Pekin, i cili është qyteti që ka numrin më të madh të trashëgimive kulturore në botë. Pekini, qyteti me zhvillimin më të shpejtë në histori, po tërheq një numër gjithnjë e më të madh të huajsh, si për turizëm, ashtu edhe për të jetuar.

1. Muri i Madh i Kinës, monumenti kulturor më i famshëm në botë

Image

Muri i Madh i Kinës – Changcheng (qyteti/fortesa e gjatë) është një numër fortifikimesh prej guri ose prej balte ne veri të Kinës, i ndërtuar, i rindërtuar dhe i mirëmbajtur gjatë shekujve.

Ai ka një gjatësi prej afro 10 mijë kilometrash, nis nga Shanhaiguani i qytetit Qinhuangdao të provincës Hebei dhe përfundon në perëndim, në Jiayuguan të provincës Gansu. Pjesët më të njohura të Murit të Madh janë Badalin, Jinshanling, Mutianyu, Juyongguang, Jiankou etj. Muri i Madh luante në atë kohë një rol mbrojtës kundër agresorëve të huaj, prandaj edhe deri në dinastinë Ming perandorët vazhduan ta ndërtonin.

2. Pallati i dimrit

Image

Në qytetin perandorak, pasi të shihni këtë oborr gjigant ku jetonin dhe punonin perandorët e lashtë, do të ndieni ritmin e jetës së pekinasve dhe kulturën e tyre. Për të njohur Pekinin, duhet patjetër ta nisni udhëtimin tuaj nga Pallati i Dimrit. Pallati i Dimrit ndodhet në zemër të Pekinit. Quhet edhe "Qyteti i ndaluar" dhe tani është kthyer në një muze. Ai ka qenë pallati perandorak i dinastitë Min dhe Qing (1368-1912) dhe në të kanë jetuar 24 perandorë. Ndërtesat janë vepra madhështore arkitekturore dhe janë ndërtesat më të mëdha prej druri në botë.

3. Sheshi "Tienanmen"

Image

Sheshi "Tienanmen" është simboli i Pekinit dhe i gjithë Kinës. Ky shesh me histori 500-vjeçare mbetet ende më i madhi në botë. Ai është vendi i shenjtë për zhvillimin e ceremonive madhështore dhe për pritjen e mysafirëve të huaj. Të gjithë ata që vijnë në Pekin, sigurisht që nuk mund të lënë pa vizituar sheshin "Tienanmen". Vizita e turistëve në Pekin nuk mund të quhet e plotë nëse nuk bëjnë një fotografi me portretin e kryetarit Mao Ce Dun në sheshin "Tienanmen".

4. Tempulli i Qiellit

Image

Tempulli i Qiellit në Pekin është një nga komplekset më të mëdha të ndërtesave të lashta për nderimin e zotave në botë. Në Kinë ceremonia për nderimin e zotave fillon nga dinastia Zhou. Që nga dinastia Han, perandorët e dinastive të ndryshme i kushtuan shumë rëndësi kësaj ceremonie. Pas periudhës Yongle të dinastisë Ming, në çdo ditë të rëndësishme perëndorët vinin këtu për të organizuar ceremoni për nderimin e zotave dhe për të uruar për korrje të bollshme. Në qoftë se koha ishte e thatë, organizoheshin dhe ceremoni lutjeje për rënien e shiut. Koncepti kryesor i projektimit të ndërtesave të Tempulli të Qiellit është dallimi i gjerësisë dhe i lartësisë së qiellit, për të treguar madhësinë e zotave dhe vogëlsinë e njeriut. Tempulli i Qiellit shpërfaq kudo edhe konceptin e simbolikën e kulturës tradicionale kineze. Muri i tempullit, që është i rrumbullakët në veri dhe katror në jug, dhe ndërtesa e rrumbullakët me murin e jashtëm katror, simbolizojnë konceptin e kozmologjisë tradicionale kineze të "qiellit të rrumbullakët dhe tokës katrore". Po të mos vish këtu, nuk mund ta njohësh plotësisht qytetin perandorak.

5.Pallati i Verës

Image

Pallati i Verës, si qendra më e rëndësishme politike dhe diplomatike gjatë dinastisë Qing, i vendosur jashtë "Qytetit të ndaluar", ka përjetuar shumë ngjarje historike. Perandoresha Ci Si ishte një pacifiste dhe meritat e saj mund të krahasohen me Ying Zheng, perandori i dinastisë Qin të Kinës së lashtë. Ajo shpenzoi fonde shumë të mëdha për të krijuar një kopsht gjigant. Pallati i Verës ka një sipërfaqe prej afro 290 hektarësh dhe ndahet në disa pjesë, si zona e aktiviteteve politike, zona e jetës së përditshme perandorake, zona turistike me malin Wanshou dhe liqenin Kunming. Turistët mund të ngjiten në malin Wanshou, të vizitojnë ndërtesën me figurat budiste, ose të vozisin në liqenin Kunming. Në digën lindore të liqenit mund të shijoni legjendat për fatkeqësitë e shkaktuara nga uji, të shihni lopë bronzi, e pastaj të pushoni në korridorin më të gjatë i përfshirë edhe në librin e rekordeve "Gines" e të bisedoni me miqtë. Argëtimi perandorak ishte i tillë.

6. Tempulli i Lamës

Image

Në Tempullin e Lamës në Pekin ndërthuren karakteristikat e arkitekturave të ndryshme të kombësisë hane, mançure, mongole, etj. Në këtë tempull ende banojnë mjaft murgj. Gjatë rrugës drejt tempullit mund të nuhatësh erën e fortë të temjanit. Me të shkelur në bulevardin pas hyrjes, mund të ndieni qetësi të plotë shpirtërore. Buda gjigante në pallatin kryesor është një kryevepër mahnitëse artistike. Për njerëzit që kanë nevojë të gjejnë mbështetje shpirtërore, tempulli është një vend shumë i mirë, sepse lutjet e tyre shpesh realizohen. Kështu që tempulli pret përditë shumë vizitorë, sidomos në ditën e parë dhe të pesëmbëdhjetë të çdo muaji sipas kalendarit kinez, të cilat vlerësohen si ditët për të kryer ritet fetare budiste.

7. Hutong-ët e Pekinit

Image

Në qytetin e Pekinit ka një fjalë të urtë, që thotë "Po të mos hysh në hutong, nuk e njeh mirë Pekinin, dhe po të mos hysh në hutong, kot vjen në Pekin". Hutongët e mëdhenj dhe të vegjël kryqëzohen dhe shpërndahen si enë gjaku në të gjithë Pekinin. Kjo është një nga veçoritë arkitekturore të kryeqytetit kinez.

Turistët, nëse dëshirojnë të ndiejnë thellësisht kulturën e lashtë dhe atmosferën jetësore të Pekinit, duhet të shkojnë në hutongët në lagjet e vjetra të qytetit të Pekinit.

Hutongët kanë filluar të formohen në shekullin e 13-të, kur Pekini u caktua si kryeqytet i dinastisë Juan. Në atë kohë sundimtarët ishin mongolë. Fjala hutong vjen nga gjuha mongole dhe ka kuptimin "pus". Në fillim fare hutongët ishin të shpërndarë sipas vendeve ku gjendeshin puset e ujit. Kjo për arsye se atëherë në çdo hutong duhej të kishte një pus. Zakonisht hutongët shtrihen nga lindja në perëndim dhe gjerësia e tyre është më pak se 9 metra. Në të kaluarën, në të dy anët e hutongëve kishte pothuajse vetëm oborre katrore. Oborri katror është një lloj arkitekture në të katër anët e të cilit ka dhoma dhe në qendër ndodhet oborri. Ai është një lloj banese nga më karakteristiket në qytetin e Pekinit.

Në Pekin është një fjalë që thotë se "Pekini ka 360 hutongë me emër, ndërsa hutongë pa emër ka sa qime ka një lopë."/CRO

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco