Historia e Kishës arbërore të Moçarit

Stefan Dushani kishte nxjerrë një kod (1349), me të cilin parashiheshin pasoja për ata që do të kundërshtonin konvertimin nga katolikë në ortodoks, me një dedikim të tërthortë ndaj arbërve dhe priftërinjve të tyre

Një nga monumentet më të rëndësishme për vlerat arkitekturore që ka, jo vetëm në regjionin e Gjilanit, por edhe në Kosovë, mbetet Manastiri i Moçarit. Në literaturën shqipe flitet për një manastir romak, ose për një objekt që u përket kohëve të lashta bizantine. Në të vërtetë, malësorët e Gallap-it mbajnë mend që deri vonë pak pas ikjes së Turqisë, njerëzit zbritnin tek ky manastir për "Shmark", siç i thoshin ata Shën Markut, ditës së tretë të Shën Gjergjit. Qysh në vitin 1976, asokohe plaku 80- vjeçar, Qerim Boroci, në odën e Rrahman Demë Svircës, kishte thënë se manastiri ka qenë dikur i shqiptarëve, të cilët edhe pas konvertimit në fenë e re, vazhdonin të vizitonin këtë tempull ditën e Shën Markut, më 8 maj të secilit vit. Serbët e konsiderojnë të tyre këtë manastir. Sherafedin Kadriu, zyrtar për trashëgimi kulturore në Gjilan, thotë se konstatimet për përvetësime të kishave arbërore prej serbëve, vijnë nga dijetarë të ndryshëm, të huaj dhe vendës dhe kanë ndodhur në kohën e nemanjidëve dhe dushanëve, e sidomos pas vitit 1307, kur në krye të Serbisë erdhi mbreti Millutin. Në këtë periudhë fillon edhe shembja e kishave katolike, ndërsa mbi gërmadhat e tyre ngritën kishat e ritit ortodoks. Më pas ndodh edhe konvertimi i shqiptarëve katolikë në ortodoks, kryesisht me dhunë, nga Stefan Dushani, i cili kishte nxjerrë një kod (1349), me të cilin parashiheshin pasoja për ata që do të kundërshtonin, me një dedikim të tërthortë ndaj arbërve dhe priftërinjve të tyre. Në këtë periudhë shkatërrimesh e kundërshtish, sikur nuk do të ishte normale të ngrihen kisha, edhe trikonkshe madje. Kadriu thotë se manastiri përbëhet prej disa objekteve ndihmëse. Pjesën qendrore e zë kisha trikonkshe, ndërsa në perëndim të saj ndodhen mbetje ndërtesash, si kthinat e depos për ushqim, sallës për ushqim dhe bibliotekës, kurse në kat ndodheshin kthinat për fjetje. Në anën lindore dhe jugore kanë qenë kthinat për bagëtitë dhe depot e ushqimit të tyre, si hambarët dhe stallat e kafshëve, shkruan gazeta Kosova Sot.

Përputhet me Kishën e Drishtit në Shkodër

Në literaturën serbe, ky objekt njihet si Manastiri i Shën Rgjavcit ose edhe Manastiri Ubozhac, i datuar nga shekulli XIV. Enti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës në Prishtinë e ka marrë në mbrojtje në vitin 1955. Në komunitetin shkencor serb ngritja e këtij objekti i atribuohet ose mesit të shekullit XIV, ose kohës së Perandorisë Osmane. Stili i ndërtimit, sipas arkeologëve serbë, i përket Shkollës së Moravës, stil ky që i përket pjesës së tretë të shekullit XIV. Vetë ata kthehen dhe e kontestojnë shekullin XIV, duke u arsyetuar se kishat e tilla në Serbi janë ndërtuar vetëm në veri të saj, më saktë në rajonin e Moravës së Madhe, jo edhe në territorin e Moravës Jugore a Moravës së Binçës, duke shtuar se ndërtimet e tilla paskan ndodhur vetëm në shtetin e Princ Lazarit (1371- 1389). Nga ana tjetër, konsiderojnë ata, kishat e ngritura gjatë mbretërimit të okupimit osman janë të thjeshta në formë, dimensionesh të vogla dhe pa kupolë, përballë një ndërtese monumentale trikonkshe, siç është kisha e Manastirit të Moçarit. Këto kundërshti shtrojnë pyetjen e domosdoshme se kur është ndërtuar ky manastir."Logjika të çon në vite më të largëta, ndoshta aty kah shekulli VI, kohë kur Justiniani i Parë u kushtoi një rëndësi të madhe ndërtesave sakrale dhe profane", thotë Kadriu. Ai nuk përjashton mundësinë që një rindërtim, ose renovim i mëvonshëm të ketë ndodhur. Kisha trikonkshe të po këtij tipi hasen në Shqipëri, që nga koha e Justinianit, por Kisha trikonkshe e Shën Mërisë në Drisht të Shkodrës (shek. X-XI), përputhet me kishën trikonkshe të Moçarit - Shën Mërinë.

Naosi dhe narteksi

Kisha e Shën Mërisë e Manastirit të Moçarit u përket kishave me planimetri qendrore. Kisha e ka bazën e një kryqi të brendashkruar me një kube mbi pjesën qendrore të shenjtërores, që nuk ekziston më. Ka tri absida, të cilat nga jashtë janë trefaqësh dhe janë të veshura me gurë të latuar, ndërsa, nga brenda, ato kanë një formë gjysmë rrethore. Materiali i përdorur për ndërtim, kryesisht është guri dhe tulla. Gurët e përdorur për murim janë të madhë- sive të ndryshme, njëkohësisht të papërpunuar fare të mbushur me llaç gëlqereje. Naosi ka bazë triabsidale, pra me tri absida dhe një kube, e cila ka qenë e vendosur mbi katër shtyllat vertikale nga dy për anash gjithsej, të cilat kanë shërbyer njëkohë- sisht për t'u vendosur arkadat në to. Arkadat nismën e kanë në murin perimetral të anës perëndimore, ku është realizuar një inkastrim në lartësinë prej 4.70 m, pastaj kanë vazhduar duke u mbështetur në dy shtyllat vertikale njëra pas tjetrës, për të përfunduar në shtyllat vertikale që janë pjesë anësore të absidës lindore. Në sallën e lutjeve, aty pranë absidës qendrore qëndron e ngulitur një shtyllë me lartësi prej 0.80 m, në të cilën ka qëndruar tryeza e altarit. Gjatësia e naosit në shtrirjen perëndim-lindje është 11.90 m. Gjerësia pa absidat anësore është 7.40 m, ndërsa largësia ndërmjet dy absidave kundruall është 11.40 m. Trashësia e mureve është 1.05 m.