Spaho: Ruçi po e drejton shumë keq Kuvendin, e papranueshme ndërprerja e fjalës së Berishës

Kryetari i grupit parlamentar të PD, Edmond Spaho, akuzoi dje kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi lidhur me mënyrën se si ai po vepron në krye të këtij institucioni

I ftuar në emisionin “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku, dhe përballë gazetarëve, Artan Cena, Tedi Blushi dhe Platos Nesturi Spaho tha se kulmin, Ruçi, e arriti duke i ndërprerë fjalën ish-kryeministrit, Sali Berisha.

“Unë nuk po diskutoj fare minutazhin për z. Berisha, por që të ndërpresin fjalën kur ai tha "më lejoni të mbaroj vetëm mendimin", kjo është e papranueshme” tha Spaho.

Spaho shtoi se nëse është për zbatimin e rregullores, Ruçi duhet të kishte kurajon t'i ndërpriste fjalën edhe kryeministrit Rama, që në shumë raste ndërron temën e diskutimit.

“Rasti më i fundit ishte në seancën që kaloi, kur po diskutohej për tjetër çështje dhe kryeministri paraqiste strukturën e institucioneve të qeverisë. Atëhere përse z.Ruçi nuk ia ndërpreu fjalën?” pyeti Spaho.

Numër 1 i grupit parlamentar të opozitë dha edhe një rast tjetër të shkeljes së rregullores nga ana e Ruçit dhe funksioniomit sipas të tij me dy standarte. Sipas Spahos kjo ka ndodhur edhe në rastin kur kryetari i Grupit të PS, Taulant Balla, mungonte në sallë dhe në vend të tij në vend që të vijonin fjalimet sipas radhës me deputetë të PD, Ruçi ua dha fjalën deputetët e PS.

“Pra nëse Ruçi premton dhe justifikon zbatimin e rregullores, ai duhet ta bëjë si për opozitën dhe si për pozitën”, tha Spaho.

Nisur nga kjo, Spaho deklaroi se shumë shpejt grupi do të hartojë një stradegji lidhur me këtë mënyrë se si Ruçi po e drejton Kuvendin. “Nuk është çudi që ne të ndërmarrim të gjitha nismat që na mundëson rregullorja e Kuvendit, që shkojnë deri në bojkot të Kuvendit” tha ai.

Spaho bëri një analizë të situatës politike në të cilën i mëshoi shumë stradegjisë së PD për të bërë një opozitë të fortë në parlament në katër vite. Sipas Spahos, dy janë shtyllat kryesore të veprimtarisë së PD në këto momente: analiza për humbjen e zgjedheve dhe reforma zgjedhore, e cila do t'i japë fund shitblerjes së votës dhe abuzimeve.

Ai bëri publikë idenë e tij të hedhur që në zgjedhjet e vitit 2021 parlamenti të bëhet me 100 deputetë; zgjedhjet të zhvillohen sipas sistemit mazhoritar proporcional, votimi dhe numërimi të jetë elektornik dhe votimi të bëhet i detyrueshëm. Por gjithsesi këto do të diskutohen për të shkuar më pas në një ligj të veçantë.