Fundi i ‘ëndrrës’ turke?

Në përfundim të referendumit për pavarësi të kurdëve të Irakut, presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan reagoi me një nerv të kuptueshëm. Në deklaratën e tij, duke u munduar të zhbëjë përpjekjet e kurdëve në Irakun e veriut, ai ju referua Kosovës, ku sipas mediave u shpreh se ‘114 vende pranuan Kosovën, por fatkeqësisht nuk mund të jetë shtet, pasi është ende vështirë. Iraku i Veriut, ju do të merreni vetëm me Izraelin?’

 Ky qëndrim i Presidentit turk, në fakt bie ndesh me qëndrimin e tij të shprehur me plot emocion në Kosovë në vitin 2013 ku vetë Erdogan pati thënë: ‘Ne të gjithë i përkasim të njëjtës histori, kulturës së përbashkët, qytetërimit të përbashkët, ne jemi popuj të vëllazëruar nga kjo strukturë. Mos harroni, Turqia është Kosovë, dhe Kosova është Turqi’.

Në të dy rastet presidenti turk është gabim. Kosova është shtet, pavarësisht rrethanave të reja gjeostrategjike të Turqisë, si dhe Kosova nuk është Turqi. Kosova nuk është as Serbi, e as Shqipëri, pavarësisht se kush e thotë. Kosova është thjeshtë Kosovë. Një shtet i ri, Sovran, i pavarur, me problemet e saj në shtet-formim si çdo shtet i ri. Nuk është ndonjë hata e madhe pse presidenti turk e sheh si problem numrin e njohjeve të Kosovës nga shtetet anëtare të OKB-së, problem i vërtetë qëndron në faktin se ai e lidh shtetësinë e Kosovës me anëtarësimin në OKB, duke e sjellë Turqinë zyrtare në pozicionin e Moskës dhe Beogradit në raport me Kosovën. Mund të shihej si një çedim i padëmshëm nëse një deklaratë e tille nuk do te vine në kohen kur shohim një largim të Turqisë nga Euro-Atlantizimi 70-vjeçar dhe afrim i saj me Rusinë. Gjithsesi, do t’i ngelet Turqisë që të shpjegojë raportin e saj me Kosovën në periudhën afat-shkurtër.

Që të jemi realistë, nuk është ky raporti i vërtetë mes Kosovës dhe Turqisë. Turqia është një nga vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, pavarësisht problemeve të saj të brendshme me minoritetin kurd. E ka mbështetur, dhe ka lobuar për njohje të mëtejshme. Ka ndihmuar institucionet e Kosovës, ekonominë e saj dhe Trupën Mbrojtëse të Kosovës (TMK).

Porse ne duhet të jemi të qartë se këtë nuk e ka bërë se pse shqiptarët e Kosovës janë vëllezër të turqve, as se pse “Kosova është Turqi e Turqia, Kosovë’. E ka bërë thjesht në zbatim të interesave të veta shtetërore. Pikërisht këtë duhet ta kuptojnë shqiptarët e Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë e ku do janë. Raportet midis tyre dhe Turqisë janë raporte që diktohen nga interesat shtetërore të secilës palë. Këtu nuk ka asgjë të keqe. Interesat reciproke janë shtylla kurrizore e marrëdhënieve midis shteteve dhe popujve. Shqiptarët thjeshtë duhet ta kuptojnë këtë dhe të largohen nga folklorizmat.

Duke i thënë këto, duhet të pranojmë se në historinë e marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe Turqisë, që nga rënia e Perandorisë Otomane, raportet kanë qenë të forta, miqësore, deri diku edhe vëllazërore, me ulje-ngritjet e veta, por prapë Turqia mbetet një fuqi ekonomike, politike, diplomatike dhe ushtarake rajonale me ndikim pozitiv karshi shqiptarëve. Nga ana tjetër as nuk kemi mundur dhe as nuk mundemi që ne të ndikojmë në marrëdhëniet midis Turqisë dhe Serbisë, pikërisht për hir të interesave shtetërore të Turqisë. Raporte këto, që pavarësisht Kosovës, Turqia e i ka patur të shkëlqyera (përjashto ndërhyrjen e NATO-s në Kosove në vitin 1999). Edhe sot i ka të shkëlqyera, sidomos ato ekonomike. Madje më të mira se me shqiptaret në shtetet e tyre respektive.

Qëndrimi i çdo lideri apo shteti të huaj ndaj Kosovës, është automatikisht edhe qëndrim ndaj shqiptarëve në tërësi. Raportet e zotit Erdogan me shqiptarët deri në deklaratën e fundit të tij, kanë qenë miqësore. Raportet e tij individuale me lidershipin shqiptar kanë patur ulje ngritjet e veta. Që nga vitit 2013, raportet e tij personale me Kryeministrin e Shqipërisë kane qenë më shumë se miqësore. Hyrje-daljet e Ramës në shtëpinë e Erdogan tashmë janë rutinë. Dhe këtu nuk ka asgjë të keqe, për sa kohë që këto marrëdhënie midis liderësh, përkthehen ne marrëdhënie të mirë midis shteteve të cilët përfaqësojnë. Ndërhyrja brutale e Erdogan në krah të Edi Ramës në fushatën e fundit elektorale, pavarësisht faktit që e kemi kritikuar, do të ishte e falshme nëse këto raporte individuale do ti kthente në raporte të konsoliduara institucionale midis dy vendeve.

Për arsyet e veta, dhe në kushtet e izolimit të Edi Ramës, propaganda e tij është munduar të na mbushë mendjen se Turqia është shpëtimi i shqiptarëve. U trumbetuan me të madhe dy projektet individuale të Erdogan për krijimin e një kompanie ajrore shqiptare me ndihmën e Turkish Airlines. Ndërkohë që kjo është një gjë e mirë, nuk ndikon në asnjë mënyrë në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Edhe ngritja e një aeroporti në jug të vendit është pozitive, por suksesi i tij nuk varet nga ndërtimi i një piste avionësh, por nga shfrytëzimi i tij për zhvillimin ekonomik të vendit. Nëse ai ndërtohet, por lihet ashtu si aeroporti i Kukësit, ato janë para të çuara dëm.

Duke ju rikthyer deklaratës së Erdogan, i takon atij të qartësojë se cili është raporti i tij dhe qeverisë së tij në lidhje me shtetësinë e Kosovës. Por nga ana tjetër, shërbeu që entuziastët e Turqisë ti kthejë me këmbë në tokë, dhe të kthjellohen se në marrëdhëniet ndër-shtetërore nuk ka vëllazëri të përjetshme, por përputhje ose mos-përputhje interesash. Po ashtu, i hoqi edhe maskën e fundit Edi Ramës në të ashtuquajturën ‘ëndërr turke’. Dhe së fundi, u heq edhe një argument sharlatanëve politike, siç ishte ai politikani i ‘Besës’ në Maqedoni, i cili shprehej ‘se kam biseduar me Edi Ramën për investimet turke në Maqedoni’.