Konferenca e Kryetarëve rrëzon kërkesën e PD, Spaho: Patjetër një referendum për ‘plehrat'

Partia Demokratike është e vendosur për të mbajtur një referendum popullor për çështjen e importit të mbetjeve, pavarësisht se sot Konferenca e Kryetarëve e rrëzoi kërkesën e saj për ta futur në seancën e nesërme të Kuvendit. 

 Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Edmond Spaho, deklaroi pas mbledhjes se PD-ja do të ushtrojë presion për të mbajtur referendum për çështjen e importit të mbetjeve dhe do të fillojë duke plotësuar mangësitë teknike që bënë që kërkesa e saj të refuzohej nga mazhoranca.  

"Kjo kërkesë, - tha Spaho, -  është zvarritur me qëllim nga mazhoranca, por ne insistojmë që kërkesa të futet në rendin e ditës së Kuvendit madje që në seancën e nesërme. Mazhoranca e rrëzoi duke u kapur pas disa elementëve teknikë,  por ne do t'i plotësojmë mangësitë teknike dhe do të ushtrojmë presion që këtë referendum ta kryejmë, sepse është e drejtë që buron nga Kushtetuta, që forca jonë politike të kërkojë mbajtjen e tij, por edhe të drejtë e qytetarëve që të shprehen për të ardhmen e tyre."

Spaho tha se në Konferencë “diskutiuam për organet e Vetingut dhe ne shprehëm mbështetjen për të gjithë procesin, mbështetjen e institucioneve me burime njerëzore dhe financiare, gjë që nuk ndodhi në Komisionin e Ligjeve ku u bënë shkurtime. Por, ne do të paraqesim amendamentet tona në mënyrë që këto organe të kenë të gjithë mbështetjen e nevosjhme, si është parashikuar që në hartimin e këtyre dokumentave. Kthimi pas i PS-së është i pajustifikueshëm."

Pika e tretë e diskutuar, rrëfeu Spaho, ishte nisja e punës për Reformën Zgjedhore, votimin dhe numërimin elektronik që në zgjedhjet e ardhshme, çështje për të cilën është rënë dakord në parim me mazhorancën dhe LSI-në.