Shehi apel Bashës: Hape PD-në, koha të sillesh si lider Europian

Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, ka komentuar deklaratën e bërë nga kreu i opozitës Lulzim Basha, sa i refuzimit të fraksioneve brenda Partisë Demokratike.

Në një intervistë për emisionin ‘Kjo Javë’ në “News24” Shehi kritikoi qëndrimin e Bashës, ndërsa nuk nguroi që t’i jepte atij edhe një këshillë.

 “Sprova tjetër me të cilin përplasemi ne të gjithë janë zgjedhjet lokale, që janë zgjedhje politike. Ky është termi brenda të cilës kemi nevojë për të rinovuar vetveten. Do t’i jepja një këshillë të vogël, e dëgjova (Bashën) këtë historinë fatale se “sa jam unë s’ka fraksion”.

Gjithnjë kështu thuhet. Por a e di çfarë do të thotë kjo? Që këtu drejtoj unë dhe s’ka tjetër. Këtu ka fjalë më të mira sesa fraksioni. Nuk ka nevojë për fraksion, por për korrente brenda PD ka nevojë. Ky do të ishte revolucioni demokratik i zotit Basha, që të hapte partinë ndaj korrenteve, ndaj njerëzve që gjykojnë ndryshe. Të jesh me një parti dhe të jesh kryetar nuk është meritë. Por të jesh në një parti dhe të kesh mendim ndryshe nga kryetarët, kjo është zotësi e kryetarëve evropianë modernë. Askush s’po e bën këtë. Zoti Basha e ka për detyrë që të hapin partinë, që edhe këta kundërshtarë të kenë vend aty, të kenë rrymë. Dhe koha tregon nëse ‘është i madh lumi jot, apo rrëkeja e tyre’. Duhet të pranojmë edhe korrentet e reja në këtë situatë”, tha Shehi.