Shteti i Edi Ramës/ Cub në Shkozë, dhjaks në Himarë e Athinë

Ditën e djeshme, Blendi Fevziu ja kishte kushtuar emisionin e tij të radhës, “Opinion”, çështjes së prishjes së banesave të një grupi të madh banorësh në Shkozës, duke ftuar një përfaqësi të tyre.

Nga gjithë dëshmitë që u dëgjuan mbrëmë, dilte se ata po trajtoheshin “si të njerkës”, pasi ndryshe siç është vepruar me raste të ngjashme ndaj tyre po përdoret një tjetër standard. Banorët pranojnë se nuk janë legalizuar pavarësisht se gjenden prej dekadash aty, se janë dakord për ndërtimin e unazës, por u shfaqën shumë të revoltuar për mënyrën se si po i trajton qeveria në këtë proces të dhimbshëm për familjet e tyre.

Gjëja më e rëndë që u konstatua dhe lemerisi drejtuesin e emisionit ishte fakti që ata nuk posedojnë asnjë njoftim zyrtar nga IKMT për prishjen e objekteve dhe janë vënë përpara faktit të kryer nëpërmjet brutalitetit të policisë. Këtë e pranoi edhe përfaqësuesi i Avokatit të Popullit i cili deklaroi se institucioni i tij kishte nisur kryesisht një proces penal për këtë shkelje të rëndë të ligjit dhe se nuk kanë denjuar as tu vënë në dispozicion dokumentacionin e këtij aksioni në Shkozë.

Fevziu i bëri thirrje live përfaqësuesve të IKMT-s që të prononcoheshin, por për dy orë rresht nuk ndërhyri njeri (as sot gjatë gjithë ditës, nuk ka përgënjeshtrim), duke e pranuara me këtë heshtje veprimin flagrant, antiligjor. Skandali u thellua më tej kur u dëgjuan dëshmi se inspektorët e INUK, edhe më pas u kanë shkuar banorëve dhe u kanë kërkuar që të firmosin një procesverbal sikur ata e kanë kërkuar vetë dhe kanë qenë dakord me prishjen e shtëpive të tyre, përkundrazi (janë kërcënuar) do të gjobiten deri në 5 milion lekë të vjetra!

Fadromat e IKMT po vazhdojnë prej disa ditësh shembjen e shtëpive 160 familjeve që strehojnë rreth 1000 banorë të cilët të dëshpëruar vazhdojnë të protestojnë, jo kundër projektit për zgjerimin e Lanës, por përgjegjësinë e qeverisë për fatin e tyre të mëtejshëm.

Siç e thamë në hyrje të shkrimit shumica e banorëve ishin të revoltuar dhe të dëshpëruar sepse nuk kuptonin dot pse gjithë kjo urrejtje e shtetit ndaj tyre në mënyrën e trajtimit duke bërë krahasim edhe me zona të tjera në Tiranë e gjithë Shqipërinë. Më e pakta që kërkojnë është dëmshpërblimi I objekteve ku kanë investuar që në fillim të viteve 90-të, siç ndodhi edhe me zgjatimin e bulevardit qendror në kryeqytet apo me shtëpitë që kapi “rilindja urbane” e Ramës në Himarë.

Madje për këtë rast të fundit duket se Rama nuk po shfaqet më si cub dhe i trimëruar, pas disa tundjesh gishti të forta paralajmëruese që i kanë ardhur nga instancat më të larta të Athinës zyrtare, por edhe nga Brukseli.

Rama duket se është tërhequr nga shembja e 19 shtëpive në Himarë, të cilët edhe nëse prishen duket se i kanë bërë gati një faturë të kripur, (ata banorë, IKMT të paktën i kishte njoftuar zyrtarisht 5 ditë para aksionit që u zbyth), por nuk mund të rrinte dot pa bërë cubin me “ditëzinjtë” e Shkozës, që kujtonin deri katër ditë më parë se kishin “mik” më të fuqishëm se himariotët; vetë Edi Ramën, deputetët e tij dhe Erion Velinë që përpara 25 Qershorit i kishin vënë në gjumë mbi dafina sa tu merrnin votën, siç edhe ndodhi.

SYRI.net