Vasili - Ramës: Tërhiqu nga taksa e shëndetit, kurseja vetes këtë gjynah

Petrit Vasili, kreu i Grupit parlamentar të LSI dhe ish-ministër i Shëndetësisë, i ka bërë një apel Kryeministrit Edi Rama që të tërhiqet nga taksa e shëndetit sepse sipas tij, ajo do të jetë taksa më abuzive mbi shqiptarët. 

"Në programin e punimeve të Kuvendit është futur përsëri nga qeveria miratimi i koncesionit të pullës së barnave, -  shkruan Vasili sot duke argumentuar. - Pulla aktualisht kushton vetëm 6 lekë të vjetra. Me koncesionin, që do të miratojë qeveria, pulla do të kushtojë nga dhjetra deri mijëra herë më shtrenjtë. Thënë më thjeshtë: nga 6 lekë të vjetra mund të arrijë edhe deri në 31 mijë lekë të vjetra, pra rritje rreth 5 mijë herë.

Kjo, pasi pulla e barnave tash e tutje do kushtojë sa 2.4% të çmimit të shitjes me pakicë. Grabitje kjo që nuk është parë gjëkund. Kjo është taksa direkte më abuzive mbi shëndetin, që do paguajnë qytetarët.

Shëndetësi falas nuk pati jo e jo, por për më zi akoma, po shtojnë dhe taksa të rënda si kjo e pullës, që i bën shqiptarët të paguajnë akoma më shumë për barnat.

Kryeministri nga ligji i dekoratave edhe tërhiqet, por kur vjen puna te ligjet, që u hanë lekët dhe i varfërojnë qytetarët dhe pasurojnë të tjerët me koncesione, ai nuk tërhiqet kurrë. Tërhiqu kryeministër, kurseja vetes të paktën këtë gjynah, që lidhet me shëndetin.