Një tjetër arritje për gjeniun shqiptar Dionis!

Dionis Senjo, vogëlushi 6 vjeçar, djali i një çifti onkologësh nga Tirana “godet” sërish. Pasi u pranua në shoqatën botërore të gjenive “Mensa Internacional”, me një inteligjencë të të njëjtit spekter si fizikanti Albert Ajnshtain, Dionisi ka shkëlqyer në testin e MAP (Measure of Academic Progress) në Amerikë. Testi së cilit iu nënshtrua Dionisi është një test i kompjuterizuar që teston nivelin e nxënësit që hyn në shkollë. Fillimisht, gjeniu 6-vjeçar bëri testin për klasat 2-5 dhe arriti t’i zgjidhte 100% të gjitha ushtrimet e matematikës, ndërsa dje iu nënshtrua testit për klasën 6-9 dhe zgjidhi mbi 99% të ushtrimeve. Ky rezultat ka befasuar gjithkënd por jo prindërit e vogëlushit të cilët tanimë i njohin mirë aftësitë e tij dhe kanë vënë re se Dionisi zgjidh edhe ushtrime nga gjimnazi. Dionisi pas këtij rezultati është regjistruar në klasën e parë, pasi ligji ynë nuk lejon kapërcimin e menjëhershëm të klasave, edhe pse kemi të bëjmë me një gjeni.