Paloka, thirrje nga shtëpitë e shembura në Shkozë: Edi Rama, bëhu më njerëzor!

Një përfaqësi e Partisë Demokratike ka shkuar sot pranë banorëve të Shkozës, shtëpitë e të cilëve kanë nisur të shemben pavarësisht protestave, për t’i hapur rrugën projektit të Lanës.

Edi Paloka, Albana Vokshi dhe Rudina Hajdari i bënë thirrje Kryeministrit Edi Rama të bëhet më njerëzor!

“Këtu, sikur jemi në një vend në mes të luftës. Lufta është mes kësaj qeverie dhe banorëve jo vetëm të Shkozës, - tha Paloka për mediat, - por të të gjithë atyre që i besuan Edi Ramës, votën. Kështu është kur i beson Edi Ramës.

Jemi këtu për të sensibilizuar opnionin dhe për t’i bërë thirrje Ramës: Mos u sill si armik me qytetarët e ty, bëhu njerëzor! Shiko çfarë po bën! Janë qindra familje që po nxjerr me fëmijët jashtë! Nuk janë të ngujuar, sepse ashtu ua do qejfi, por se iu premtua gjatë fushatës elektorale nga njerëzit e qeverisë se shtëpitë e tyre do të legalizohen dhe kompensohen! Por, sa erdhën në pushtet, kjo qe përgjigja e Edi Ramës. Shteti nuk është aty për t’i marrë shpirtin të pamundurve,” theksoi Paloka.