Të dhënat e INSTAT: Numër rekord aksidentesh rrugore në Gusht, 22 të vdekur

Gushti, sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, është muaji me numrin më të lartë të aksidenteve rrugore dhe viktimave gjatë këtij viti (së bashku me Korrikun, Prillin dhe Janarin).

Sipas INSTAT, gjatë muajit gusht, numërohen 215 aksidente rrugore, 16 më shumë se muajin paraardhës dhe 17 më shumë se gushti i vitit 2016.

“Në krahasim me Gusht 2016, numri i aksidenteve është rritur me 8,6 %. Numri i të aksidentuarve është 292 persona nga 294 që ishte një vit më parë”, raporton INSTAT.

Ndërkohë, në tetëmujorin 2017, numri i të aksidentuarve është ulur 0,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 Në Gusht, aksidentet rrugore, në 83,3 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve është kryer nga grup mosha 25 – 35 vjeç, duke zënë 25,6 % të numrit të aksidenteve rrugore dhe duke u ulur me 3,5 %, krahasuar me të një njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në tetëmujorin 2017, aksidentet rrugore të cilat kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit zënë 80,7 % të rasteve. Numri më i lartë i aksidenteve është kryer nga grup mosha 25 – 35 vjeç duke zënë 27,6 % të numrit të aksidenteve rrugore dhe duke u ulur me 5,2 % me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Aksidentet gjatë 2017-ës

Gusht/ 215 aksidente, 22 viktima

Korrik/ 199 aksidente, 22 viktima

Qershor/ 185 aksidente, 12 viktima

Maj/ 176 aksidente, 16 viktima

Prill/ 150 aksidente, 22 viktima

Mars/ 152 aksidente, 16 viktima

Shkurt/ 117 aksidente, 17 viktima

Janar/ 19 aksidente, 22 viktima

/SYRI.net/