Vasili: Pro Reformës Zgjedhore, por tangove PS-PD u ka ardhur fundi

Kryetari i Grupit të LSI, Petrit Vasili, ka garantuar sot se LSI është mjaft e interesuar për një Reformë Zgjedhore sipas modeleve më të mira, ndaj do të shohë sesa e vërtetë është nisma e marrë së fundi, ajo çfarë "do të hedhin në tryezë" dy forcat kryesore politike. Megjithatë, "kohës së tangove PS-PD u ka ardhur fundi", premtoi ai. 

Në një konferencë për mediat, Vasili tha se "vendi ka nevojë për një Reformë Zgjedhore, sepse e treguan zgjedhjet e fundit ku vota u ble. Ka pabarazi vote, vota që peshon ndryshe dhe e penguar kjo nga të dyja forcat kryesore politike. Po ashtu kemi një problem me atë “sikur”, një komision që u krijua dikur dhe që nuk e mbylli kurrë misionin e tij.

Por, - theksoi ai, - ne jemi pro Reformës zgjedhore, pro, mbledhjes së Komisionit. Nëse janë nisma të sinqerta apo jo do ta tregojë koha. Por, kohës së tangove PS-PD u ka ardhur fundi. Do të jemi pjesë aktive e kësaj reforme. Të shohim çfarë do të hedhë në tryezë. Jemi shumë të interesuar të ketë një reformë të tillë me modelet më të mira ndërkombëtare."