'Familjeve të Shkozës, Partia Demokratike do t'u gjendet me çdo mjet'

"Familjeve të Shkozës PD do t'u gjendet me çdo mjet. Me veprimin e saj, si dhe me ndihmën ligjore për të marrë vlerën e tregut për shtëpitë e tyre. Nuk është një lojë politike për ca vota më shumë; është përpjekja për të korrigjuar një padrejtësi që s'kish arsye të ndodhte."

Kështu deklaron sot, zëdhënësja e Grupit Parlamentar të PD, Grida Duma. Në një mesazh në rrjetet sociale, Duma shprehet: 

"Por si mund të zhbëhet trauma e djalit te vogël që u thërriste policëve të mos ia merrnin të atin? Traumën nuk mundemi ta zhbëjmë. Atij fëmije nuk kemi ç'ti themi, pasi sytë e tij panë dhëmbët e shtetit dhe të dhunës. Por ndoshta mundemi të mësojmë prej tij. Nga ajo klithmë fëmije që thoshte JO. Të mësojmë të mos heshtim.

Të mos harrojmë këtë klithmë që hyri dhunshëm në kujtesën tonë kolektive. Në kujtesën e mizorisë së një shoqërie që shkul fëmijërinë nga fëmijët, që kalon si fadroma e Sharrës mbi pafajësinë e tyre.

Jemi një shoqëri fajtore. Nuk është fajtore policia që detyrohet të ekzekutojë viktimat e sistemit. Nuk është fajtore kamera e gazetarit që filmon mjerimin tonë në klithmën e fëmijës së tjetrit.

Gjatë luftës në Bosnjë, dikush mbajti shënim fjalët e një djali shumë të vogël që pyeti të atin pak përpara se jetët e tyre të këputeshin nën një breshëri të shtënash:

"Babi, fëmijët me plumba të vegjël vriten?"

Plumbat e vegjël të dhunës strukturore janë po aq vrasës sa ata që dalin nga tyta e një arme të vërtetë. Ata duhen ndalur."