Iraku refuzon kërkesën e kurdëve për referendum: Nuk do të lejojmë krijimin e një Izraeli të dytë

Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Irakut ka refuzuar referendumin për pavarësi që administrata rajonale kurde e Irakut (KRG) ka në plan të mbajë më 25 shtator, për arsye se "kjo është antikushtetuese".

Zyra e shtypit e Kryeministrit të Irakut, Hajdar al-Ibadi njoftoi se Këshilli i Sigurisë kombëtare të Irakut u mblodh në kryeqytetin e vendit, Bagdad, nën drejtimin e Ibadit.

Duke iu referuar detyrës së Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Irakut, që është të ruajë tërësinë territoriale të vendit, të mbajë qëndrime në drejtim të mbrojtjes së popullit dhe të ndalojë nismat që kërcënojnë sigurinë e vendit dhe të qytetarëve, deklarata njofton se Këshilli në mbledhjen e fundit i ka kushtuar rëndësi zgjidhjes së problemeve me dialog dhe jo duke rrezikuar sigurinë e vendit.

Ndërsa ndihmëspresidenti i Irakut, Nuri al-Maliki në lidhje me referendumin e pavarësisë që ka në plan të mbajë administrata rajonale kurde e Irakut më 25 shtator tha se “nuk do të lejojnë krijimin e një Izraeli të dytë në veri të vendit”.

Zyra e shtypit të Kryeministrisë irakiane njofton se Maliki ka zhvilluar një takim edhe me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Bagdad, Douglas Silliman.

“Referendumi nuk do ti shërbejë as interesave të popullit të Irakut dhe as të kurdëve. Ky referendum nuk është i ligjshëm, kështu që ai duhet shtyrë ose anuluar”, ka thënë Maliki sipas të njëjtës deklaratë/TRT