Shqiptari në Afrikë: Si shkova në Ugandë dhe çfarë gjeta atje

Nga Avdi Rudaku.

Para shkuarjes në Ugandë të Afrikës Lindore, miqtë dhe të njohurit e tjerë më thoshin lloj-lloj gjërash të kobshme: «Atje ka luftë, do të vrasin!», «Do të marrin peng bandat e armatosura lokale», «Do të sëmuresh nga malaria e Sida!», «Është shumë nxehtë atje, nuk mund ta përballosh!» Ka pasur edhe disa reagime qesharake dhe që të bezdisin:

«Allahile, qysh s’po priton me shkue në Afrikë? Unë për vete, pare mem dhanë, nuk kisha shkue atje!» Sidoqoftë, shumë prej tyre bazohen vetëm nga lajmet dhe përgjithësimet për tërë kontinentin afrikan dhe inercioni i izolimit kombëtar që na kanë shkaktuar politikanët e korruptuar, pa vizion, pa përgjegjësi e pa llogaridhënie.

Askush nuk ma kishte thënë një gjë para se të shkoja në Ugandë: mos shko atje, sepse ka aq shumë varfëri, sakaq dëmtohesh shpirtërisht kur sheh fëmijë këmbëzbathur, fëmijë që shtrëngojnë lëngun që ia blini nga frika se dikush tjetër po ia merr pa e kërkuar një lëng për kohë të gjatë; fëmijë të prekur me HIV-pozitiv nga transmetimi i virusit pas lindjes nga prindërit me HIV-pozitiv dhe shumë prej tyre kishin mbetur jetim e duke u kujdestaruar nga halla, pas vdekjes së prindërve; fëmijë duke bartur kova me aq shumë litra ujë mbi kokë e dy duar, në distanca të largëta; fëmijë duke punuar punë të rënda; fëmijë duke mësuar në banka e karrige prej druri të forta e këmbëzbathur në dysheme të forta e të papërshtatshme; fëmijë që rriten edhe në mjedise ku besohet se ndëshkimi fizik po ashtu është mjet pedagogjik; fëmijë që nuk kanë kushte higjienike dhe stërpikin njëri-tjetrin duke urinuar në tualete të improvizuara..... mbetja e fëmijëve shumë të vegjël, të vetëm në shtëpi për orë të gjata pa nënën e tyre, duke pritur nënën nga puna në bujqësi e punë të tjera për mbijetesë; fëmijë të uritur dhe të kequshqyer, fëmijë me ëndrra të vrara që në lindje, etj. 

Ethet e verdha

Edhe gjatë aplikimit për vizë, një nga kriteret është vaksinimi kundër etheve të verdha dhe marrja e kartonit të verdhë. Ne e bëmë këtë në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik në Prishtinë. Mirëpo, vullnetarët e tjerë nga Holanda, Spanja vende të tjera, me të cilët na ra të qëndronim në Ugandë, na tregonin se kishin marrë tableta antimalarie dhe vaksina të tjera, po ashtu. Ata ishin shumë më të përgatitur me informacione, vaksina e këshilla sesa ne nga Kosova. Kjo ndonjëherë na frikësonte, por këshillat dhe përvoja e një punëtori kosovar në Entebe për punëdhënës të fuqishëm amerikan, na ndihmuan tej mase në ndjenjën e përgjithshme të sigurisë, pasi që punonjësit e tillë kanë sigurime të forta shëndetësore dhe po ashtu qasje në shërbime efikase profesionale-mjekësore.

Pasi bëmë disa pyetje para nisjes nga një punonjëse e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, ajo na tha: ujë mos pi, por vetëm blej shishe të mbyllura me ujë; nëse ha sallata, hidh më shumë uthull; sprejin mos e harro në asnjë mënyrë për shkak të insekteve dhe veçanërisht kundër mushkonjave.

Ndërsa një kolege kosovare e cila kishte udhëtuar në Ugandë para disa kohësh, më kishte thënë këto gjëra: merr shumë spreja kundër insekteve, fëmijët duan të luajnë me flokët e tua dhe ta prekin dorën për shkak të kuriozitetit me ngjyrën e bardhë të trupit (kjo ishte gjë shumë e dashur dhe e parrezikshme) dhe më mirë të konvertohen paratë e dollarit në shilinga, prandaj eurot ktheji në dollarë para nisjes dhe atje i kthen pastaj në shilinga ugandase.  Është praktika  ime që para nisjes të marr konsulta nga njerëzit që kanë pasur të njëjtën përvojë paraprake me mua!

Motivi si profesionist vullnetar në Afrikë

Që nga fëmijëria kur i shihja fëmijët afrikanë këmbëzbathur në lajmet ndërkombëtarët, më lindte njëfarë dëshire e fuqishme për të shkuar e për t’i ndihmuar atyre. Dhe krejt vonë, erdhi një moment i përshtatshëm, kur aplikova në një organizatë ndërkombëtare si vullnetar profesionist dhe më dhanë jo vetëm mundësinë për një praktikë vullnetare ndërkombëtare, por edhe bursë.

Më pas, organizata ishte jo serioze në planifikimin kohor dhe u bëra vullnetar direkt në organizatën e fuqishme lokale ugandase «Eco-Agric Uganda», e cila vepron në tri distrikte të mëdha: Wakiso, Hoima dhe Kibale. Isha i gëzuar që herë punoja në distriktin e dominuar nga grupi etnik Buganda a Baganda, e herë në Hoima që dominohet nga Runyoro. Historikisht, Buganda ka qenë ndër mbretëritë më të fuqishme të Ugandës dhe në kohën e kolonializmit konsiderohet se ka qenë më bashkëpunuese me kolonizatorët anglezë, prandaj edhe kanë marrë më shumë investime rajonet e tilla, si p.sh. kryeqyteti Kampala.

Edhe sot e kësaj dite, gjuha Luganda është më e përhapur; njerëzit nga rajonet bugandase janë më të edukuar dhe më të arsimuar; më të urbanizuar e më të modernizuar. Është shumë interesante se si Uganda, ndonëse republikë me kushtetutë, ka disa mbretëri të cilat njihen edhe nga shteti: mbretëria Buganda, Runyoro etj. – dhe në këto distrikte janë edhe pallatet ku flenë e punojnë mbretëritë. Në fakt, këta mbretër janë krerë grupesh etnike, të cilët kanë pushtet simbolik për unfikimin e pjesëtarëve të një grupi etnik dhe vijnë nga e kaluara e shumë mbretërve dhe konkurrencës së fiseve a grupeve etnike për pushtet e territore.

Neve na ra të ishim prezent në takim edhe me gruan e mbretit të Bugandës, e cila gëzonte respekt të jashtëzakonshëm, me veshje të veçantë, dukshëm me jetesë të dallueshme nga populli aq shumë i varfër ugandas. Mirëpo, kur shkuam në rajonin tjetër, më thonë se këtu, në këtë pallat, qëndron mbreti i Runjoros. E pyes: po sa mbretër i ka Uganda? Tetë. Dikush thotë katër.

Sa e kuptova këtë çështje ishte fakti se shoqëria ugandase është e përbërë nga aq shumë fise a grupe etnike dhe akoma edhe sot, njerëzit kanë ndjenja të fuqishme për komunitetin etnik, se sa për shtetin. Prandaj, mbretërit shënojnë të parin e fiseve/grupeve etnike më të fuqishme në vend. Por, presidenti i vendit është njeriu më i fuqishëm në vend. Ai mban pushtetin nga viti 1986 dhe shtresat e arsimuara e urbane, janë kundër qëndrimit të tij aq të gjatë në pushtet dhe në takime private e quajnë edhe diktator. Por nuk është e kollajshme të kritikohet presidenti.  Veçmas në fshatra, janë të lidhur më shumë me presidentin Musevini dhe të vinte keq në kushte të tmerrshme varfërie, ta shihje të varur fotografinë e tij në muret prej llaçi!

Të gjithë ma thonë një gjë, qofshin me arsimim më të lartë universitar apo jo: Musevini për një gjë duhet shumë, sepse ka paqe në vend. Njerëzit e duan atë sepse po ofron paqe, krahasuar me vendet e tjera si Sudani, Somalia, etj.

Pra, krahasuar me vendet e tjera, Uganda është kryesisht me stabilitet politik, pavarësisht disa fërkimeve e tensioneve që mund të jenë ndonjëherë në kufi me Kongon. Rreth kësaj pjese mësova në muzeun kombëtar të Kampalës, për shembull se është zbuluar një rrip i gjatë i pasur me gaz, prandaj ugandasit e ndërlidhnin tensionin ndërfqinjësor edhe për interesa të gazit. Sidoqoftë, krahasuar me shumë shtete afrikane, Uganda është me stabilitet politik, ndonëse pakënaqësitë ndaj presidentit pushtetgjatë rriten, vendi është shumë i varfër, të papunë gjysma e popullatës, me infrastrukturë shumë të dobët, me mungesë të trotuareve për këmbësorë, me rrugë të paasfaltuara në shumicën e vendit, me pluhur ekstrem.

Në shumë pjesë, toka apo balta është e kuqërremtë, por ka edhe vende që është gri. Më ka bërë përshtypje sidomos edhe dënimi edhe me burg nëse të kapin duke pirë duhan në hapësirë publike. S’më ka rënë kurrë të shihja ndokënd të pinte duhan për sa kohë kam qëndruar në Ugandë. Kam parë në disa fshatra duke punuar duhanin, por njëri nga themeluesit e organizatës lokale ugandase më thotë se shumica e duhanit të prodhuar në Ugandë shkon jashtë vendit apo te fqinjët. Nuk ka thuajse blerës lokalë, nuk ka duhanpirës brenda vendit…

Puna ime në Ugandë

Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, ndonëse e kemi kritikuar për secilën javë në shkrimet tona qe shtatë vjet dhe vazhdoj sa të kem frymë të jem zë kritik ndaj saj dhe në përgjithësi, kritik ndaj qeverive të njëpasnjëshme kosovare, i jam mirënjohës që më ka mbështetur financiarisht vetëm për biletën dhe jam zotuar po ashtu se jam në gjendje për Këshillat e Veprimit Rinor Lokal dhe Departamentin e Rinisë së ministrisë sa herë të më kërkohet të jap kontributin tim në ndarjen e përvojës së vullnetarizmit ndërkombëtar.

Gjatë punës sime vullnetare, kam punuar me organizata rinore, me fëmijët me HIV-pozitiv, me shumë shkolla ugandase në nxitjen e kreativitetit, në ligjëratat për largimin e zemërimit dhe mërzisë, organizimin e orëve letrare dhe ekspozitave kolektive, e lloj-lloj aktiviteti tjetër në mbështetjen e staºt lokal në organizatat joqeveritare. Së fundi, pas intervistës, xhirimeve dhe fotove të bëra me disa fëmijë me HIV-pozitiv dhe familjarë të tyre, do të përpiqem të krijoj ndonjë fondacion bashkë me organizatën lokale ugandase për t’i ardhur në ndihmë fëmijëve aq shumë të prekur me HIV-pozitiv në Ugandë.

Thuhet se 7 për qind e popullatës së Ugandës janë të prekur nga HIV-pozitiv!

Kosova dhe Uganda

Nuk e di pse, por ngado që shkoj, më pyesin: a është Kosova në Rusi? Më ka ndodhur edhe në Gjermani, e lëre më në Azi dhe Afrikë! Ndoshta pse Putini e ka përmendur shumë Kosovën dhe kanë krijuar keqkuptimin se Kosova qenka në Rusi pasi kreu i këtij vendi po e përmend shumë në fjalimet e tij. Ndoshta sepse rusët e kanë mbrojtur shumë Serbinë karshi Kosovës. Ndoshta sepse prapashtesa «ovo» tingëllon rusisht.

Edhe në Ugandë më pyesnin: a është Kosova në Rusi? Kur u thosha më tregoni ju lutem pse në Rusi, nuk e dinin përgjigjen. Uganda e ka njohur shtetin e Kosovës sipas MPJ-së dhe vizës që ma hodhën në faqen e pasaportës, por në aplikimet online për vizë, nuk e gjeja askund me shkronjë Republikën e Kosovës.

Po e thërras mikun tim të njohur për udhëtime jashtë vendit dhe njohës shumë i mirë i praktikave të ndryshme të shteteve për vizë, se si mund ta gjejë Kosovën në listën e shteteve, sepse nuk doja të përcaktohesha për «Serbinë». Hajde tek unë e shohim bashkë ndonjë alternativë. Kur e pamë krejt rastësisht në shkronjën «R», por me një emër krejtësisht tjetër e të gjatë: «Resident of Kosovo to whom a travel document has been issued by the United Nations Interim Administration Mission in Kosovo» (Banor i Kosovës të cilit i është lëshuar një dokument udhëtimi nga Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë).

Në vitin 2012, Ministria e Punëve të Jashtme kishte njoftuar për mediet se Uganda është shteti i 88-të që ka njohur Kosovën. Kur arrita në aeroportin ndërkombëtar Entebe të Ugandës, ma vendosën vizën në pasaportë, pasi paraprakisht kisha aplikuar online për vizë dhe me një pagesë prej 50 dollarësh. Përgjigja e autoriteteve pas aplikimit online për vizë, ishte më se e shpejtë. Vetëm pas pak orësh, më konfirmuan pranimin e vizës. Përndryshe, do të doja ta shihja në listë: «Republika e Kosovës!»

Përpjekje për ta përfunduar Aq mirë kam kaluar, sakaq ende nuk po e tejkaloj mërzinë që jam kthyer në Kosovë! Populli ugandas është shumë i dashur, i përzemërt dhe mikpritës.

Fëmijët janë pasuria më e madhe e Ugandës dhe të mbushin me shumë ngrohtësi, qoftë edhe një foto të vetme kur e bëni me ta. Janë të jashtëzakonshëm, të bukur, inteligjentë, por fati i tyre ishte të lindin në kushte të mjerueshme ekonomike dhe sociale. Po ta kishte Kosova afër Ugandën e jo vendet e zhvilluara europiane dhe mërgimtarët, jam më se i bindur se do të ishim një vend i zhytur edhe në varfëri të dyfishtë ekstreme nga kjo ekzistuese, të ngjashme me Ugandën.

Kur e pashë një shtëpi shumë të madhe e të bukur në Ugandë, e pyeta mikun afrikan: kush e ka ndërtuar këtë shtëpi? Ku punon pronari? Ai ma ktheu këtë përgjigje: Ka mërguar për shumë vjet në Britaninë e Madhe dhe tash është në pension, është kthyer në vendlindje dhe ka ndërtuar këtë shtëpi aq të madhe e aq të bukur.

Menjëherë më ranë ndërmend mijëra kosovarë që kanë ndërtuar shtëpi të bukura, pasi jetojnë dhe veprojnë në shtete të pasura si Gjermania, Zvicra, etj. Ka shumë ugandas që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar, por sikur ta kishin më afër, do të shkonin më shumë dhe më lehtë, prandaj do të kishin një jetë shumë më cilësore, vetëm falë mërgimtarëve ugandas, sikur kosovarët me mërgimtarët e tyre në vendet perëndimore. Për sa i kemi politikanët pa vizion, përgjegjësi e llogaridhënie, varfëria e izolimi s’do të na hiqet për kohë të gjatë! Madje edhe në këtë qeverinë e re, metafora më e shëmtuar është shpërblimi për zëvendëskryeministër dhe ministër, një sekser! E tmerrshme!/Dialogplus