‘Jam Prek Cali, shtëpia ime është mali’-Iriqi bisedon me Prek Calin

Iriqi: - E mësove që ta shembën shtëpinë?

Cali: - Komunistët shembën Shqipërinë, që nga jugu në veri. Për mua nuk ka rëndësi ajo që rrëzuan. Se gurë lumi ishin, vendosur një mbi një. Por e mësuan se po rrëzuan një mur do ngrenë një monument. Ja, kisha kaq vjet që askush nuk kujtohej për mua. Kur fap, po flasin gjithë shqiptarët. Po tregojnë se kam qenë roja i kufijve të atdheut. Kaq mjafton që edhe i vdekur të ndihem i lumtur.

Iriqi: - Por mbase nuk lejojnë ringritjen e saj?

Cali: - Mua më quajnë Prek Cali, shtëpia ime është mali. Ti nuk e di, por ka shumë "prona" me emrin tim atje. Është një përrua që quhet i Prekës, një rrugë drejt lëndinave thirret e Prekës, ka një shpellë me emrin tim, e plot të tjera. Këtyre çfarë do u bëjnë? Do i shembin? Se ashtu bënë dhe me kishat. I rrafshuan, por njerëzit i ndiznin në shtëpi qirinjtë  e luteshin të zhdukej mortja e kuqe. Ashtu siç u përmbys nga zemërimi popullor.

Iriqi: - Kushëriri yt, Toma...

Cali: - Nuk kam fis komunist. Mbase më ka lënë kujtesa, por gjaku jem është krejt antisllav e antiserb.

Iriqi: -Thuhet se ke vrarë 32 partizanë?

Cali: - Nuk ishin partizanë, ishin vrasës të paguar nga Beogradi. Erdhën të na shtypnin për llogari të Serbisë.

Iriqi: - Ke mësuar se ç'ndodh sot nga Shqipëria?

Cali: - Po, po. Na vijnë lajmet me qeveri hajdute. Kështu kanë qenë të gjitha, por këta të majtët nuk ngopen, të hanë jo vetëm mishin e peshkun tënd, por edhe qumështin e fëmijëve. Duan të bëjnë të varfër çdo shqiptar.

Iriqi: - Po pse nuk ngrihet populli? Ja, të reagojë si ty?

Cali: - Shqiptarët nuk janë frikacakë, por tani jemi komb me shumë atdhe. Një pjesë i zgjon dielli i Greqisë, shumë i nxeh dielli i Italisë, plot të tjerë flenë kur perëndon dielli i Amerikës. Andaj dhimbja e tokës tënde nuk ndihet fort. Ndryshe kur jetonim ne. Kishim një diell e një hënë. E na rrihte fort zemra kur dikush na ulte ndriçimin e rrezet e tyre.

Iriqi: - Kur të ringrihet kulla do të të lajmëroj.

Cali: - Më lajmëro kur të shembet komunizmi.

Iriqi: - Ai ka vdekur.

Cali: - Kam vdekur dhe unë, por kujtohem. Kështu dhe me xhelatët, kanë thyer qafën, por janë bijtë e nipërit. Më keq nga etërit. Se kanë shumë pasuri dhe blenë njerëzit si skllevërit qëmoti. Vendi është në rrezik.

Iriqi: - Rrezik?

Cali: - Po,nga largimi i banorëve. Ndaj po miratohet ligji i mbetjeve. Që Shqipëria të mos rrijë bosh. Do ikin njerëzit, por do vijnë plehra. E pastaj do kujtoni alpet, malet, burimet, liqenet, por do i shihni veç në foto. Se kudo do "banojnë" mbetjet e Evropës. Do shkruajmë për vatanin ish-Shqipëria. Prindërit e tyre e varfëruan,qeveritarët e sotëm e shitën...