'Prek Cali, në një burg me Enver Hoxhën, po nuk pranoi të dilte pa u liruar dhe ai'

Nipi i Prek Calit, 90-vjeçari Ndue Ndreshaj ka zbuluar disa fakte sot nga jeta e gjyshit të tij, që u rikthye në vëmendjen e medias shqiptare pas shembjes së kullës. Ai flet për njohjen e Calit me Enver Hoxhën dhe sidomos për një moment në jetën e tyre.

Ndreshaj tregon: Prek Cali është një hero për Shqipërinë, që luftoi për kufijtë shqiptarë, për t’i mbrojtur. Kam qenë 16 vjeç kur e kanë vrarë gjyshin tim. E mbaj mend. Kishte dëshirë të përzinte shkijet (serbët) dhe të zgjeronte sa më shumë dhe të mbronte kufijtë e Shqipërisë.

Prek Cali nuk ka vrarë asnjë partizan dhe askënd tjetër. E mbajtën të lidhur për disa ditë në Shkodër në burg dhe më pas e mbyti Beqir Balluku dhe Mehmet Shehu me shokët e tyre komunistë. T’i dorëzohej Prek Cali - Enver Hoxhës... nuk e di nëse do e mbyste apo jo Enveri, sepse Prek Cali ka qenë në burg me Enver Hoxhën. Kur i doli gjyshit tim lirimi, ai tha ‘jo, nuk largohem pa u liruar edhe Enver Hoxha, kanë qenë në një burg jashtë Shqipërisë’.  U lëshua edhe Enver Hoxha pas kësaj kërkese të gjyshit tim.

Kur janë vrarë partizanët, gjyshi im ka qenë në Vermosh, në shpellë i fshehur. Është fshehur, se ndryshe do e vrisnin partizanët. Enver Hoxha e tradhtoi idealin e Prek Calit, ndërsa gjyshin tim e pushkatuan pa shkuar fare në gjyq. Enver Hoxha ka shkruar edhe libra për Prek Calin. Prek Cali u ka thënë malësorëve që të mos vritet askush dhe të mos bëhen luftëra mes shqiptarëve." thekson Ndreshaj në një intervistë për GSH.