Partizani me kapiten të ri, Iuliano merr vendimin e papritur për Alban Hoxhën

Tashmë vjen edhe konfirmimi nga trajneri Mark Iuliano. Te Partizani nuk ekziston më çështja Alban Hoxha pasi gjithçka është zgjidhur, me portierin që ka kërkuar falje për sjelljen e tij dhe ka dorëzuar shiritin e kapitenit.

Në konferencën për shtyp në prag të supersfidës së kësaj të hëne ndaj kampionëve të Kukësit, italiani konfirmoi Hoxhën si titullar mes shtyllave, ndërsa zbuloi edhe emrin e kapitenit të ri.

Në radhë të parë e rëndësishme është që kemi zgjidhur në mënyrën e duhur çështjen e Alban Hoxhës. Ai është një lojtar i rëndësishëm jo vetëm për ne si klub, por edhe për Kombëtaren dhe kampionatin shqiptar në tërësi. Fatmirësisht ky problem është zgjidhur edhe falë inteligjencës së Albanit. Ai bëri zgjedhjen e tij përsa i përket çështjes së shiritit të kapitenit dhe tashmë shiriti për shkak të një hierarkie që kemi në klub do ti kalojë Bathës”, deklaroi Iuliano.