Oficeri fiton pafajësinë për vrasjen e të riut me ngjyrë, nisin protestat në SHBA

Qindra persona kanë protestuar në Mizuri pasi një gjykatë shpalli pafajësinë e një ish-polici të bardhë të akuzuar për vrasjen e një personi me ngjyrë në vitin 2011. Protestuesit janë ndeshur me policinë, gjë që çoi në arrestimin e 13 personave. Ndërkohë, 4 oficerë mbetën të plagosur nga kjo përplasje.

Vendimi i një dite më parë, i dhënë 5 javë pas përfundimit të një gjyqi pa juri, shpall oficerin 36-vjeçar Jason Stockley jo fajtor për vrasje të shkallës së parë, ku 24-vjeçari afro-amerikan Anthony Lamar Smith mbeti i vdekur.

Smith u qëllua 5 herë në makinën e tij, pasi ai u përpoq të arratisej nga oficeriStockley dhe kolegu i tij në 20 dhjetor 2011, me pretendimin se ai ishte përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike.

Pavarësisht faktit se oficeri Stockley është dëgjuar të thotë se do ta vriste Smith, avokatët mbrojtës deklaruan se ish-polici besonte se 24-vjeçari ishte i armatosur.

Në përfundim, në makinën e të vrarit u gjet një armë, që prokurorët argumentuan se ishte vendosur atje nga vetë Stockley.

Vendimi nxiti një valë të dhunshme protestash, ku 13 persona u arrestuan dhe 4 oficerë mbetën të plagosur. Rasti ka rihapur sërish debatet racore në Saint Louis, që ka një nga nivelet më të larta të vrasjeve në Shtetet e Bashkuara.

Trazira të ngjashme shpërthyen edhe në Fergusonin e afërt në Mizuri, pas vrasjes së 18-vjeçarit me ngjyrë dhe të paarmatosur Michael Brown.