Vjen sërish dita pa makina në Tiranë, ja data

Tirana do i bashkohet edhe këtë vit “Javës Europiane të Lëvizshmërisë”, e cila ka për qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve për të përdorur sa më pak makinat që ndotin ambientin dhe për të përqafuar gjithmonë e më shumë qasjet e reja transporti që janë miqësore me ambientin.

Në kuadër të kësaj jave, Bashkia Tiranë do të organizojë një sërë aktivitetesh, promovimi i mjeteve ekologjike të transportit publik apo aktivitete të tjera që kanë për qëllim nxitjen e të rinjve në përdorimin sa më shumë të biçikletës dhe për ta bërë atë një mjet popullor në Tiranë.

Gjatë 21 shtatorit të rinjtë e shkollave të mesme të Tiranës do të zhvillojnë vizita edukative tek laboratori i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për monitorimin e parametrave mjedisorë. “Java e Europiane e Lëvizshmërisë” do të arrijë kulmin në 22 shtator kur në Tiranë do të organizohet “Dita pa makina”.