Kapet me 11 mijë euro falso në Gramsh, Leone-mjeshtri i falsifikimit

Kapet në qytetin e Gramshit, Leone, mjeshtri i falsifikimit të parave dhe grupi i tij i përbërë nga Agron Rrucaj dhe Nafie Miraka.

Leone ose ndryshe Luan Duka, u arrestua me bashkëpunëtorët e tij pasi këmbyen si fillim 300 euro në një Exchange në qytetin e Gramshit, të cilat çuan në depozitën e tyre të madhe prej 11 mijë eurosh. 

Leone Duka, 41 vjeç, me banim në Tiranë, ka qënë i dënuar edhe më parë për falsifikimin e parave.

Policia e Shtetit njoftoi si u zhvillua operacioni Këmbyesit":

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, bënë finalizimin me sukses të operacionit policor të koduar “KËMBYESIT”. Si rezultat i këtij operacioni, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

Leone (Luan) Duka, 41 vjeç banues në Tiranë, I dënuar më parë për veprën penale “Falsifikimi i monedhave”

Agron Rrucaj, 23 vjeç banues në Mamurras Laç dhe me  banim të përkohshëm  në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhim e mbajtje të lëndëve narkotike”.

Nafie Miraka, 19 vjeçe banuese në fshatin Dufshan, Njësia Administrative Pishaj, Gramsh, me banim të përkohshëm në Tiranë.

Arrestimi i tyre, u bë pasi në bashkëpunim me njëri – tjetrin, në pikën Exchange të shtetasit me iniciale N.K, në qytetin e Gramshit, kanë këmbyer 3 kartmonedha, me prerje 100 Euro secila të cilat dyshohet se janë false.

Menjëherë me marjen e informacionit, janë organizuar shërbime dhe në afërsi të fshatit Gostimë, është ndaluar mjeti tip Peugeot, me të cilin udhëtonin shtetasit e lartpërmendur. Grupi hetimor, gjatë kontrollit  personal, i ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 11.000 Euro, të   dyshuara të falsifikuara.

Hetimet vazhdojë, për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Falsifikimi i monedhave, i kryer në bashkëpunim”,  parashikuar nga neni 183/2 i Kodit Penal.