Mësuesit në Lezhë pa paga, kërcënojnë se do të ndërpresin punën

Mësuesit që bëjnë kurse për fëmijët në Qendrën Kulturore të Fëmijëve në Lezhë nuk kanë marrë pagat që prej një viti.

Shqetësimi është ngritur nga përgjegjësi i Qendrës, Marçel Lacaj, i cili fajëson për këtë situatë Ministrinë e Arsimit.

Sipas Lacaj, fondi për pagat është shpërndarë në zëra të tjerë duke i lënë mësuesit pa rroga.

"Kanë një vit që instruktorët i kanë bërë mësimet gratis, falas. Për arsye se MAS e ka me ligj që për tre vite: vjet, sivjet dhe sot një vit, do të bëjnë dy delegime fondesh. Fondin e pagave, 5-6 paga dhe fondin për pagesën e instruktorëve, mësuesit  e jashtëm pranë këtyre Qendrave Kulturore të Fëmijëve, çka nuk e ka bërë vjet dhe nuk e ka bërë as sivjet", tha ai për Ora News.

Në këtë situate fëmijet e Lezhës rrezikojnë të mbeten pa kurse, pasi mësuesit kanë paralajmëruar se do ta ndërpresin punën e tyre nëse nuk do të marrin pagesën që ju takon.