VIDEO/ U kapën me 3 mina me celular, zbardhet përgjimi që i tradhtoi dy të rinjtë

Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për Eraldo Katroshi e Jurgen Muho, të arrestuar si porositës e transportues i tre minave me celular nga Elbasani në kryeqytet. Prova më e fortë e prokurorisë është një përgjim ambiental i një bisede mes tyre në Komisariatin nr.6, ku kërkojnë të mbrojnë personin që siguroi minat.

“Të mos e ngatërrojmë me këtë muhabet dhe të mos i përmendin emrin”. Përgjimi ambiental i kësaj bisede të shkëmbyer në qelitë e paraburgimit të Komisariatit nr.6 në Tiranë ka fundosur të rinjtë Jurgen Muho dhe Eraldo Katroshi, 23 dhe 19 vjeç.

Ata u arrestuan të martën pas gjetjes së tre minave me celular në bagazhin e mjeti të drejtuar nga Muho. Transkipti i përgjimit u paraqit si provë nga prokuroria në seancat gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë për ta, zhvilluar paraditen e së shtunës në Gjykatën e Tiranës.

 Prokurori i tha gjykatës se në komunikimin e përgjuar Jurgen Muho pranon se është porositur nga Eraldo Katroshi për transportin e minave nga Elbasani në Tiranë. Në vijim ata shprehen se duhet të mbronin personin e tretë. Ky i fundit, vijoi prokurori, është një person ende i paidentifikuar në qytetin e Elbasanit, tek i cili janë marrë minat sekuestruara nga policia.

Prokurori Ylli Basha kërkoi caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj tyre për akuzën e “mbajtjes pa leje dhe prodhimi i armeve, armeve shpërthyese dhe i municionit”.

Avokatët mbrojtës kërkuan masa më të buta sigurie. Ata pretenduan se përgjimi ishte i paligjshëm, pretendim që nuk u mor parasysh nga gjyqtari Artan Gjermeni. Kryesuesi saktësoi se ky veprim i prokurorisë ishte miratuar nga gjykata sipas ligjit. Mbrojtësi i Muhos ofroi edhe një garanci pasurore për gjykatën në shumën një milionë lekë në këmbim të lirimit të klientit.

Në sallën e gjyqit, të rinjtë nuk pranuan të japin shpjegime në lidhje me përfshirjen e tyre në transportimin e minave me celular.

Pasi u njoh me pretendimet e palëve, gjykata vendosi izolimin e tyre në paraburgim.    

Prokuroria e Tiranës po vijon hetimet për të zbardhur personin e paidentifikuar në Elbasan, si edhe destinacionin e tre minave me celular. Vepra penale për të cilën akuzohen Muho e Katroshi ka një marzh dënimi nga 7 në 15 vite burg. /ABCNews