Rama ‘qetëson’ shefat e NATO-s në Tiranë: Sa të jemi ne, Rusia do ta ketë të vështirë të penetrojë

Kryeministri Edi Rama ka folur para shefave të shtabeve të vendeve të NATO-s në takimin e Tiranës, si kryeministri i një vendi “të fuqishëm” dhe i barabartë me shtetet nga ata janë dërguar në Aleancën më të madhe ushtarake të botës.

Ai ka folur për rrezikun e penetrimit në rajon të “faktorit të tretë” që në gjuhën diplomatike nënkupton Rusinë dhe ka marrë përsipër rolin e përgjegjësit edhe për vende si Serbia dhe Maqedonia ku ky rrezik është më I pranishëm.

“Hartës së NATO-s i mungojnë Bosnje Hercegovina, Serbia, Kosova dhe Maqedonia. Kjo zonë ende e papërfshirë organikisht në arkitekturën e sigurisë europiane përbën një faktor paqartësie strategjike për Aleancën tonë ashtu sikundër edhe një territor ku aktorë të tretë shohin vulnerabilitet dhe mundësi për penetrim.

Shqipëria si një vend që kufizohet apo ndërvepron në shumë mënyra me këto vende, ka një interes por edhe një përgjegjësi të veçantë që kjo pjesë organike e rajonit dhe e kontinentit tonë të shndërrohet edhe në një faktor të qëndrueshmërisë dhe prosperitetit të tij.

Në përmbushje të kësaj përgjegjësie edhe si vend i NATO-s ne jemi përpjekur dhe kemi arritur besoj jo pak në një proces që vazhdon”, deklaroi kryeministri Edi Rama në komitetin e NATO-s, që u mblodh për herë të parë në Shqipëri.