VIDEO/ Flet nëna e vogëlushit që na këputi shpirtin: Është i traumatizuar, ngrihet i frikësuar natën

Flet nëna e vogëlushit 8 vjeçar që këputi shpirtin e gjithkujt me thirrjet e lutjet e tij ndërsa policia po i merrte të atin në komisariat.

Familja e vogëlushit vazhdon të jetojë në Shkozë, në banesën që pritet të shembet. Nëna e tij, një grua e zbehtë hapi derën e shtëpisë për të treguar mbi ngjarjen e dy ditëve më parë. E ëma e fëmijës tregon për “Gazeta Shqiptare” se fëmija ende është i traumatizuar dhe gjatë gjithë natës zgjohet i frikësuar, shpesh duke bërtitur.

“Unë atë ditë ndodhesha në spital, sepse jam e sëmurë me diabet. Më mori në telefon xhaxhai dhe më njoftoi se duhet të shkoja sa më shpejt, sepse do shembnin shtëpinë. U nisa dhe gjeta aty djalin të terrorizuar pas skenave të dhunës që kishte parë nga policia.

Madje ai ishte prezent dhe në momentin që policia po merrte xhaxhain së bashku me bashkëshorten në rajon”,-tregon 34-vjeçarja duke qarë. Ajo shprehet e tronditur për

faktin se i biri ka fjetur gjatë gjithë kohës me të dhe madje nuk ka dashur të shkojë në shkollë pasi ndihej i frikësuar.

Gjithashtu, banorja e Shkozës tregon se në protestë ndodhej edhe vajza e saj 13 vjeçare, e cila pasi mendoi se i morën të atin në rajon, filloi të qante me dënesë.

 “Protesta jonë ishte paqësore, nuk kishim as armë, as mjete të tjera që të sulmonim, për këtë arsye, policia nuk duhej të sillej në atë mënyrë”,- tha 34-vjeçarja për “Gazeta Shqiptare”. Më tej ajo tregon se që prej vitit 1994 janë banorë të kësaj shtëpie dhe se banesa e tyre ku jetojnë 8-të persona është ende në proces legalizimi. Ajo kërkon nga shteti shqiptar vlerësimin e pronës dhe rimbursimin e saj.