Sacchi, klubeve italiane: Jeni katastrofë në Champions League

Arrigo Sacchi ka folur ashpër për paraqitjen e skuadrave italiane në Champions League.

Në një intervistë për “Premium Sport”, ish- trajneri i Milanit nuk ka kursyer kritikat ndaj klubeve italiane të cilat sipas tij po dështojnë në garën evropiane për klube.

“Unë jam i zhgënjyer, ne vetëm duhet të qajmë. Duke menduar për Ligën e Kampionëve më vjen në mendje që nga tre klubet italiane morën vetëm një pikë. Kjo është një katastrofë për ne. Napoli zhgënjeu edhe me Shakhtar Donetskun e cila e meritoi fitoren”, tha tekniku italian.

Sacchi tha se nëse në Evropë do të luash si ndaj Bolonjës atëherë është e sigurt që do të humbësh.

“Nëse luani edhe në Evropë si kundër Bolognas atëherë me siguri që do të humbni gjithmonë”, shtoi më tej Sacchi.

Kujtojmë që Juventusi humbi 3-0 përballë Barcelonës, Napoli gjithashtu humbi 2-1 ndaj Shakhtar Donetskut, ndërsa vetëm Roma mori një barazim pa gola përballë Atletico Madridit.