Nuk luan Mërgim Mavraj, Hamburgu pëson humbjen e dytë radhazi

Hamburgu pësoi humbjen e dytë radhazi në Bundesligë në po kaq ndeshje pa Mërgim Mavrajn në formacion. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare nuk u preferua në 11-shen titullare në transfertën me Hanoverin që u mbyll me fitoren 2-0 të vendasve, të cilët me këtë sukses shkëputen përkohsisht të vetëm në krye të klasifikimit me 10 pikë.

Gjatë pjesës së parë të dyja skuadrat menduan më shumë për të mos pësuar, ndaj dhe rastet e rrezikshme në portat respektive ishin sporadike.

Pjesa e dytë ofroi një panoramë krejt tjetër, teksa në minutën e 50-të Harnik, i gjendur në vendin dhe kohën e duhur nuk i dha asnjë mundësi reagimi portierit Mathenia.

Hamburgu nuk mund të pajtohej me këtë rezultat, ndaj e rriti presionin në gjysmëfushën kundërshtare në kërkim të golit të barazimit.

Mirëpo në të 82-tën Hanoveri realizoi golin e sigurisë me Bebou, që e bëri të pavlefshme ndërhyrjen e parë të Mathenias pas ekzekutimit të një goditijeje të lirë.

Me këtë disfatë Hamburgu pritet të humbasë disa pozicione në renditjen e përgjithshme në përfundim të javës së katërt të Bundesligës.