'Mos ma merrni babin!'

Është e vështirë të të mos nxehet gjaku, teksa shikon imazhet e një fëmije të pambrojtur teksa u ulërin dhe u lutet forcave të policisë, që po i arrestonin të atin: “Jo, mos ma merrni babin”.

Faji i atij prindi dhe protestuesve të tjerë që protestonin është se mbronin të drejtën e të pasurit një shtëpi, një çati ku të vendosin kokën ata dhe fëmijët e tyre.

Nuk kërkonin shumë vetëm të mos flinin rrugëve; nuk kërkonin shumë… Por pa të keq u shkelën, si përditë, nene të tëra të Kushtetutës, si neni 17, neni 18, neni 22, neni 24, neni 38, neni 41 neni 42 etj… .

Shteti shqiptar ka kohë që ka vendosur të dalë në luftë, kundër të varfërve. Nëse je i varfër në një vend si Shqipëria, je i mbaruar… e ndërkohë Avokati i Popullit hesht, ashtu si opozita… Shteti po kryen krime kundër qytetarëve të saj… Kush do ti mbrojë këta njerëz? Çfarë të drejte kanë këta të varfër kur nuk u jepet as e drejta për të jetuar në mënyrë dinjitoze, për të pasur një çati mbi kokë, për të pasur bukë për stomak?

Teksa shikon atë fëmije duke ulëritur me gjithë forcat që kishte, një vocërrak që do veç babin të lirë… tek shikon gjithë këto padrejtësi mendon, se sot të lindësh fëmijë në Shqipëri nuk është një mallkim…është një krim.

 Në kohën e protestave studentore doli dikush për të folur me Ramiz Alinë dhe i tha: “Unë nuk mund të lind kurrë fëmijë për ju dhe partinë tuaj”.

Sot si kurrë më parë në Shqipëri shihet një mjerim migjenian!

 Teksa shikon atë Fëmijë që vrapon të ndalojë policinë, e me vogëlsinë e tij tenton të mbrojë babën… nuk mundet tjetër, veçse të vijë një pikë loti, e një trishtim i madh./Peshkupaujë