Skena tronditëse në Shkozë: Fëmijë të tmerruar se po i nxjerrin nga shtëpitë

Të  shokuar kanë mbetur banorët e një lagjeje në Shkozë, kur në  mëngjes herët punonjës të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit u kanë trokitur në derë për t’ju thënë se shtëpitë e tyre do të shemben. Banoret që rrezikohen nga shembja e shtëpive gjatë paradites janë ulur në rrugë bashkë me fëmijët, duke bllokuar edhe qarkullimin. Disa prej tyre thanë se nuk janë kundër investimeve në infrastrukture, por duke mos pasur një strehë alternative, kanë kërkuar dëmshpërblim, shkruan Shekulli.

Tronditjen nuk e kanë fshehur as fëmijët, teksa në momentin kur janë kthyer nga shkolla kanë parë nënat e tyre në mes të rrugës. Mes protestuesve kishte dhe banore që po i hiqnin vete orenditë e shtëpisë. Edhe pse nuk kanë ku të shkojnë, ata thanë se po përpiqen të shpëtojnë atë pak pasuri nga shembja. Protesta e banorëve të Shkozës bllokoi mbi dy orë qarkullimin në rrugë. Edhe linjat e transportit urban u pezulluan nga qendra në drejtim të Shkozës. Pas disa orësh proteste, policia ka ndërhyrë me forcë për të shpërndarë protestuesit. Banorët kërkuan të takohen me kryebashkiakun Erjon Veliaj dhe deputeten e zonës, Elona Gjebrea e Saimir Tahirin si kryetar i Partisë Socialiste për Tiranën, të cilët sipas tyre i kanë premtuar para zgjedhjeve dëmshpërblim të plotë me një VKM të posaçme. Një skenë prekëse, ku një fëmijë qante me të madhe dhe lutej për nënën e tij,  kur policia po e merrte në makinë tronditi opinionin publik. Sipas banorëve, policia shoqëroi në komisariat 16 persona, të cilët i mbajti për afro 5 orë të izoluar.

Rrëfimet

Jo pak por 153 familje, sipas një projekti në letër të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Ministrisë së Transporteve duhet t’i “qajnë” banesat e tyre. Të mbledhur rishtas në urën e Shkozës, banorët kanë qëndruar deri në orët e vona, ndërsa tensionet dhe përplasja me policinë nuk ka munguar. Dy kryefamiljarë të rinj në  moshë, teksa flasin për “Shekulli”-n, zëdredhur dhe të pafuqishëm, shpjegojnësituatën. “Dilni nga shtëpia se do t’i shembim për 24 orë. Këtë fjali na e kanë thënë pa lëshuar asnjë paralajmërim apo shkresë zyrtare. Janë 153 familje dhe shtëpi. Një pjesë e mirë  e banesave janë ndërtuar para vitit 1990 dhe kanë leje, ndërsa të tjerat kanë të paktën 20 vjet që funksionojnë si banesa. Janë të gjitha në proces legalizimi”, thonë Genti, 35 vjeç dhe Emiljano, 34 vjeç. Të dy janë kryefamiljarë me fëmijë të vegjël, teksa ky i fundit është bërë prind vetëm 6 muaj më parë.

Ata shpjegojnë se banesat kanë qenë deri dje në proces legalizimi, por mesa duket ky ka qenë premtim i zgjatur elektoral nga ana e qeverisë, që në vitin 2014. “Muajin e fundit kanë sjellë shkresa sikur ka kthyer përgjigje ALUIZNI për refuzim të legalizimit. E ka kthyer përgjigjen sikur është çuar shkresa në21 nëntor të 2014-s; është kthyer mbrapsht për adresë të pamjaftueshme, dhe sot me të njëjtën adresë i kanë gjetur shtëpitë. Nuk ka asnjë letër për kompensim a shpronësim”, shprehet Genti, madje duke mos e fshehur shqetësimin për veten dhe familjen e tij me 9 anëtarë të tjerë. Ndërkohë përfaqësues  të Agjencisë Rajonale te Rrugëve nuk kanë dhënë asnjë sqarim në lidhje me këtë projekt, i cili duket se do të kalojë nga njëra derë në tjetrën, vetëm e vetëm që kryetari i Bashkisë, kreu i qeverisë apo edhe ministri i Transporteve të heqin përgjegjësinë për tronditjen që kanë përçuar te 600 banorë të zonës pranë urës së Shkozës.

Denoncimi

Dje në mbrëmje, deputetja e PD-së për Tiranën, Grida Duma ka shkuar pranë banorëve dhe ka dëgjuar shqetësimet e tyre.Një prej qytetarëve ka denoncuar një situatë të trishtë. Ajo thotë se bashkë me 15 protestuesit e shoqëruar nga policia, ndodhet edhe një fëmijë 12-vjeçar.“Një fëmijë 12 vjeç është tani në komisariat. Aty tani, në rajonin në 1 janë 16 veta, që kërkojnë pronën e tyre. Ai fëmijë është traumatizuar. Ka mbi 4 orë që rri aty”, tha qytetarja.“Tani do shkojmë direkt atje”, reagoi Duma.“Ku të mbytemi?”, thotë një qytetar.“Po shteti po me nxjerr jashtë, jam me fëmijë, me pleq në shtëpi. Edhe vëllai me familjen jeton pranë nesh. Ku të shkojmë”, vijoi ai./Shekulli