Humbja me Lazion e ktheu Milanin me ‘këmbë në tokë’

Vincenzo Montella beson se humbja ndaj Lazios i ka shërbyer për mirë skuadrës së tij, teksa Milan mposhti bindshëm 5-1 Austria Vienna.

Kuqezinjtë i kanë fituar të pesë ndeshjet në Europa League këtë sezon, duke përfshirë edhe eliminatoret, por kjo ishte ndeshja e parë që prej humbjes 4-1 ndaj Lazio-s në “Olimpico”.

“Humbja ndaj Lazios ishte në mendjen tonë, por sot më pëlqeu shpirti i ekipit dhe interpretimi i ndeshjes,” shprehet Montella për Sky Sport Italia.

“Skuadra luajti mirë dhe me ritëm të lartë, mori rezultatin që në pjesën e parë, më pas pamë dëshirën për të sakrifikuar dhe për të qenë solidë. Kishte një rënie të përqendrimit në fillimin e pjesës së dytë, kështu që duhet të punojmë në këtë aspekt, por jemi të lumtur me këtë fitore. Mendoj se humbja ndaj Lazios na bëri mirë”, tha tekniku kuqezi.