Basha i shtrin dorën e pajtimit kundërshtarëve të tij në parti: Ka vend për ju në PD

Në fund të intervistës së tij në Opinion, Lulzim Basha ka shprehur një lloj pendimi sa i takon mospërfshirjes së disa prej figurave të njohura të PD-së në listat për deputet si Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Ritvan Bode, Majlinda Bregu etj.

Basha thotë se ai ka një tolerancë më të madhe ndaj këtyre figurave pavarësisht qëndrimeve të ashpra që ata kanë mbajtur ndaj tij këto kohë, nisur nga fakti që hartimi i listave të 25 Qershorit ishte një vendim i tij personal.

“Unë kam marrë një vendim individual për listat dhe jam i vetëdijshëm. Për këtë arsye është detyra ime të kem një tolerancë më të lartë individuale ndaj atyre që e kanë parë veten jashtë listave. Në këtë proces që po nis do të ketë vend për secilin dhe secilën që të japin kontributin e tyre. Kjo nuk do të varet fare nga humori i tyre në raport me Lulzim Bashën”- u shpreh kryetari i PD-së.

Por nga ana tjetër ai nuk i trembet aspak zërave që thonë se të pakënaqurit në PD, mund të krijojnë një forcë të re politike kur tha: “Që PD-së ti bësh shantazh me përçarje kjo ska funksionuar kurrë. Nuk ka funksionuar me Sali Berishën dhe nuk do të funskionojë as me Bashën kryetar, kjo për shkak të mbështetësve të PD. Vija e kuqje për mua është interesi i PD-së. Nëse cënohet interesi i PD-së apo militantët e PD-së, atëhere është detyra ime për të reaguar në mënyrën më të prerë”.