Çfarë u tha trajneri i Dinamos së Kievit lojtarëve në pushim?

Trajneri i Dinamos së Kievit, Aleksandar Khaskevic, nuk pranoi t’u tregonte gazetarëve pas ndeshjes se çfarë u kishte thënë lojtarëve në pushim, që solli një kthesë të menjëhershme të fatit të takimit ndaj Skënderbeut.

“Më mirë të mos e dini se çfarë u thashë”, u shpreh trajneri mes të qeshurave në sallën e konferencave, ku gjithsesi pranoi se pjesa e dytë kishte dhuruar një tablo krejtësisht ndryshe nga e para.

“I bëmë një fillim të fortë ndeshjes në pjesën e dytë. Moraes hyri në fushë dhe pas golit të dytë ishim në kontroll të plotë të takimit, gjëja më e rëndësishme për ne është që fituam ndeshjen e hapjes në fazën në grupe të turneut”, shpjegoi trajneri.

Ai pranoi se skuadra kishte kaluar një moment të vështirë në pjesën e parë, pasi Skënderbeu kishte treguar se sa shumë e dëshironte një rezultat në transfertë.

“Ishin vetëm 45 minuta dhe ne po mundeshim, gjithçka mund të ndodhte. Për më tepër, në pjesën e parë kundërshtari po na rrezikonte me kundërsulme. Ndoshta edhe kishte disa raste të rrezikshme para portës tonë, por këto gjuajtje nga afër apo nga larg na treguan vendosmërinë e kundërshtarit për të arritur një rezultat”, tha Khaskevic.