Milan ndryshon ‘fytyrë’ në Europa League, Montella bën zgjedhje të guximshme

Jo çdo disfatë duhet përjetuar si e tillë. Milani i kësaj fundjave në Romë zhgënjeu në pritshmëri pas asaj disfate 4-1 ndaj Lazios, por në fund të fundit një humbje që në javën e tretë është më pak e dhimbshme sesa një disfatë në fundin e sezonit kur të bëhen llogaritë me laps e letër.

Në këtë mënyrë, trajneri Vincenzo Montella ka nënvizuar me të kuqe të gjitha detajet që e bënë Milanin e tij një skuadër të zakonshme në “Olimpico” për të mësuar nga gabimet e së shkuarës.

Milani do të rikthehet në fushë të enjten për sfidën e parë të grupeve të Europa League kundër Austrisë së Vjenës që vjen në momentin më të mirë për të fshirë zhgënjimin e kampionatit.

Montella duhet të gjejë lojën dhe shkëlqimin e skuadrës së dy javëve të para dhe për këtë ai ka gati një plan për ridimensionimin taktik të kuqezinjve.

Lëvizja më e guximshme do të jetë rikthimi i mbrojtjes me tre lojtarë që përveçse do t’i japë më shumë siguri Bonuccit, do të lejojë edhe Contin e Rodriguez që të shtyjnë sa më shumë përpara.

Ndryshime të rëndësishme edhe në sulm ku Kalinic dhe Silva do të luajnë përkrah njëri-tjetrit. Nëse Montella vendos për skemën me një sulmues, vetëm njëri prej tyre do ta bëjë fazën e avancuar, ndërsa vetëm dy prej treshes Bonaventura, Suso e Calhanoglu do të zinin vend pas tij për t’i dhënë sa më shumë shpejtësi repartit ku deri në këtë pikë të sezonit ka vendosur i riu Cutrone.