Irma zhyt në errësirë Florida-n

Uragani Irma ka zhytur në errësirë shtetin e Floridas, ku 6.5 milionë banesa, ose 2/3 e numrit total, kanë mbetur pa energji elektrike.

Operacionet e shpëtimit kanë nisur dhe inxhinierët po punojnë për rikthimin e energjisë, por shumë zona vazhdojnë të mbeten të izoluara. Ishujt Key West dhe pjesët perëndimore të Floridas mbajtën barrën më të rëndë të stuhisë. 

Irma goditi Floridan të dielën, si një uragan i kategorisë së katërt, por u zbut në një stuhi tropikale, ndërsa i drejtohet veriut. Pavarsisht se e ka humbur fuqinë, Irma vazhdon të shkaktojë kaos. 

Qendra kombëtare e uraganeve paralajmëron se zonat bregdetare të Floridës rrezikohen ende nga përmbytjet dhe dallgët shkatërruese. Pjesë të Miamit dhe zona të tjera urbane, janë zhytur në ujë dhe në ishujt Key West, autoritetet paralajmërojnë për një krizë humanitare. 
Numri i viktimave nuk është konfirmuar, por raportimet mediatike flasin për 4 deri në 7 viktima, mes të cilëve thuhet të ketë edhe fëmijë. Guvernatori Rick Scott paralajmëroi se do të duheshin disa kohë përpara se njerëzit të riktheheshin në shtëpitë e tyre, duke qenë se linjat elektrike kishin rënë dhe rrugët ishin të pakalueshme. 

Presidenti amerikan Donald Trump shpalli gjendjen e katastrofës dhe aprovoi ndihmat federale për Floridan, duke e përshkruar uraganin si një 'përbindësh të madh'. Para se të godiste Floridan, mbrëmjen e të dielës Irma mbolli shkatërrim në ishujt Karaibe, duke shkaktuar të paktën 37 viktima. 

Ndërkaq, në Kubë, burime të mbrojtjes civile njoftojnë vdekjen e të paktën 10 personave si pasojë e uraganit.