FOTO/ Përfundon dreka Basha-Donald Lu, asnjëri nuk flet me median

Dreka mes kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Donald Lu, ka përfunduar pas rreth 1 orë.

Dy zyrtarët u takuan rreth orës 13:00 të mesditës së sotme në një lokal në zonën e ish-Bllokut, pasi kreu i PD, Basha la seancën parlamentare. Nuk ka detaje në lidhje me çfarë është biseduar mes tyre

Lideri opozitar pak më herët mbajti fjalimin e tij të parë në parlament dhe më pas ishte i pranishëm në homazhet e zhvilluara në nder të Azem Hajdarit, për 19-vjetorin e vdekjes së tij.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nga foltorja e Kuvendit u shpreh se marrëveshja e tij me Ramën e arritur më 18 maj, përfundoi me zgjedhjet e 25 qershorit. Teksa u shpreh se “thelbi i marrëveshjes së 18 majit ishin zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, Basha tha se “Ndaj dhe zgjedhjet e 25 qershorit shënuan edhe vdekjen e kësaj marrëveshjeje”.

Ai tha se marrëveshjen e vranë shitblerja e votës dhe aleanca e Ramës me krimin.

 “Aleanca e pandërprerë e Ramës me krimin dhe shitblerja e votave me paratë e drogës dhe të korrupsionit e vranë marrëveshjen. Zgjedhjet rikonfirmuan problemin numër 1 të Shqipërisë: vjedhjen dhe tjetërsimin e vullnetit të Shqiptarëve për hir të pushtetit personal dhe privat të Edi Ramës”, tha Basha.