Rama i vendosur për të importuar plehra në Shqipëri: Kemi një plan të strukturuar

Kaloi gati pa u vënë re mbrëmjen e djeshme, një përgjigje e shkurtër e kryeministri Edi Rama ndaj një pyetjeje të bërë nga deputetët e LSI-së, për importin e plehrave.

 Pyetjes që lidhej me çështjen e shumëpërfolur dhe të ngelur ende pezull, kryeministri Rama i është përgjigjur shpejt dhe shkurt duke kaluar te tjetra, por me vendosmëri: “Kemi një politikë shumë të strukturuar. Do ta çojmë përpara me shumë vendosmëri”.

 Nëpërmjet këtij deklarimi i pari për këtë çështje delikate pasi ka marrë i vetëm pushtetin, Edi Rama e ka bërë të qartë, se ekziston një plan nga qeveria “Rama II” për lejimin e importit të plehrave dhe se tashmë që ka shumicën  i vetëm në parlament, ky projekt mund të konsiderohet i mbyllur.

Gjatë vitin të shkuar nëpërmjet një grupi deputetësh të udhëhequr nga Eduard Shalsi, ai arriti të çojë në Kuvend një projektligj për importin e mbetjeve. Por pas kundërshtive të shumta që ndeshi nga opinioni publik, media dhe shoqëria civile dhe si pasojë e dilemës së fortë të LSI-së për ti dhënë votat decizive, projektligji nuk u hodh për votim duke u shtyrë herë pas here.

Rama në atë kohë, ndërmori studio më studio televizive një fushatë personale në mbrojtje të importit të plehrat, duke hedhur poshtë pa pikë morali kauzën e tij më të madhe gjatë vitit 2013 kur ishte në opozitë; ndalimin total të importit të plehrave në Shqipëri.

SYRI.net