Prezantohet drejtori sportiv i Partizanit: Kam punuar me Cuadradon...

Partizani ka prezantuar sot drejtorin e ri sportiv të klubit, Antonelo Preiti. Italiani i përzgjedhur nga Moxhi si njeriu që do të drejtojë merkaton e të kuqve ka folur përpara mediave duke treguar punën e bërë deri tani dhe karrierën e tij të gjatë në futboll.

Fjalët e para të prezantimit

“Puna ime me Partizanin filloi më 10 gusht ku edhe u bashkova me skuadrën në Kasha të Italisë. Jam mjaft i lumtur që jam pjesë e një klubi të madh dhe shumë prestigjioz si Partizani, ndaj të jem pjesë e këtij klubi më bën krenar. Besoj se është një eksperiencë e bukur dhe pasuron bagazhin tim të njohjes së një futbolli që e njoh tashmë sepse kam punuar shumë vite me klubet italiane.

Falënderoj presidentin që më zgjodhi, sigurisht me këshillë të Moxhit, për të punuar me drejtues që janë pjesë prej vitesh te Partizani si Genc Tomori. Prandaj kjo është një pikë e rëndësishme në karrierën time.

Kam shumë entuziazëm dhe dëshirë për të punuar dhe për të vendosur në shërbim të këtij klubi eksperiencën time për të arritur objektivat që klubi ka përcaktuar që nga fillimi i sezonit. E kuptoj që është një punë e gjatë, jemi vetëm në fillim dhe llogaritë do t’i bëjmë në maj kur të mbarojë kampionati.

Mendoj se organizimi i këtij klubi është shumë i mirë. Kam patur mundësi të njoh futbollin shqiptar që më parë prej shumë miqve, kam patur kontakte në Itali me lojtarë shqiptarë siç ishte Andi Lila te Parma. Njoh pothuajse gjithçka ndaj mendoj se mund të përshtatem lehtësisht dhe do të impenjohem për të bërë punën sa më mirë.

Do të jetë një punë shumë e madhe në grup. Kam punuar me shumë njerëz gjatë karrierës sime dhe jam vënë në dispozicion të të gjithëve. Nuk më pëlqen shumë fjala “unë”, më pëlqen fjala “ne”. Të gjithë bashkë mund të realizojmë një objektiv të madh.

Jam në dispozicion gjithnjë sepse punoj 24 orë, e dua dhe jetoj për këtë punë. Mendoj që do të jap një bashkëpunim të mirë, si të tjerët me mua. E nis këtë punë të re me shumë uri të madhe dhe përulësi dhe me kokën poshtë pasi nëse punohet fort do të arrijmë rezultate.”

Ndryshimi i klubeve italiane me ato shqiptare

“Vazhdimësia. Unë kam punuar me shume klube në role të ndryshme. Fati im që kam bërë vëzhguesin e talenteve në fillim të karrierës, kam shëtitur Europën dhe Amerikën e Jugut, kam qënë trajner 4-5 vite, kam qenë instruktor në disa shkolla futbolli.

Futbolli më ka dhënë shumë dhe kam fituar shumë sy sepse njoh shumë gjëra. Partizani është një klub shumë i organizuar me njerëz që kanë shumë dëshirë për punë dhe shumë kompetentë, ndaj vazhdimësia nëse Partizani e ruan si klubet e tjerë ku kam punuar do të jetë shumë e rëndësishme.”

Humbja me Laçin

“Ky është futbolli. Bën ndeshjen për 90 minuta, e menaxhon ti, dhe me dy kundërsulme të kundërshtarit mund të humbësh. Do e quaja një aksident të momentit, por ajo që është e rëndësishme është se skuadra u shfaq me personalitet. Humbja nuk i pëlqen askujt, por ndeshja e parë nuk ndryshon objektivat.”

Afrimet në merkato

“Mendoj që kam një eksperiencë të madhe me lojtarët e huaj që vijnë për herë të parë në një vend të huaj. Kam patur të bëj me lojtarë si Kuadrado te Udineze. Në vitin e parë ai kishte shumë vështirësi sepse vinte nga Amerika e Jugut, thuajse nuk luajti fare dhe shkoi në huazim në një skuadër të vogël si Leçe. U kthye prapë te Udineze dhe një vit më pas u shit për 40 milionë euro.

Ky është një shembull. Shembull tjetër është Paleta te Parma. U kthye për 4 vite në një lojtar shumë të rëndësishëm te Parma dhe më pas shkoi te Milani. Kur një lojtar i ri afrohet pranë një klubi, jo të gjithë arrijnë të ambientohen. Kjo është diferenca kur flitet për një futboll të organizuar. Në shumë raste atë që nuk e sheh në një muaj, mund ta shohësh në muajt dhe vitet në vazhdim.”/ panorama sport