Plagosi me armën e shërbimit për sherrin e djalit, kërkohet shkarkimi i oficerit të Burgjeve

Kleant Musabelliu, punonjësi i SHKB në Burgje, është pezulluar nga detyra e tij pasi shtiu me armë ndaj një qytetari, biznesmenit Pëllumb Gjoka mbrëmjen e djeshme tek Pazari i Ri. 

Musabelliu e plagosi Gjokën në këmbë me armën e shërbimit për shkak të një sherri që kishin pasur djemtë e tyre me njeri-tjetrin dhe që degradoi deri në nxjerrjen e armës nga këllëfi.  

Musabelliu u arrestua dhe sot, Drejtori i SHKB ka kërkuar nga Ministrja e Drejtësisë, shkarkimin e tij nga detyra.

Ngjarja:

Më 11 shtator 2017, rreth orës 21:00, në zonën e Pazarit të Ri shtetasi Kleant Musabelliu, 43 vjeç, me detyrë specialist i SHKB - së  së burgjeve në Drejtorinë e Përgjithshme, ka plagosur me armë zjarri shtetasin Pëllumb Gjoka, 46 vjeç, i cili është plagosur në pjesën e këmbës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Nga hetimet e deritanishme mësohet se djemtë e shtetasve të shpërmendur janë konfliktuar me njëri-tjetrin dhe shtetasit e mësipërm ishin takuar në zonën e "Pazarit të Ri" për të biseduar në lidhje me konfiktin e ndodhur midis fëmijëve të tyre.

Biseda midis shtetasit Kleant Muasabelliut me shtetasin Pëllumb Gjoka, ka kaluar në konflikt, ku shtetasi Kleant Musabelliu, ka nxjerrë armën e shërbimit dhe ka qëlluar në drejtim të shtetasit Pëllumb Gjoka, 46 vjeç, i cili ka mbetur i plagosur në njërën gjymtyrë (këmbë) dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Autori është arrestuar dhe ndodhet në ambientet e D.V.P. Tiranë për veprime të mëtejshme procedurale.