Pas kanabisit prezantohet brandi i ri shqiptarë i njohur nëpër botë: “Edi Rama Made in Albania”

Ndërkohë që nëpër botë deri tani pas 26 vitesh kapitalizëm, kemi arritur të kemi një markë tonën mjaft të njohur, “Kanabis Made in Albania”, ministri i Bujqësisë Edmond Panarit, prej kohësh po lufton duke “ju lutur” prodhuesve të produkteve bujqësore shqiptare që të nënshkruajnë certifikatat e cilësisë dhe disa prej tyre tipike shqiptare, të kthehen në brande të njohura jashtë vendit.

Bëhet fjalë për produktet bio që merren nga disa raca dhish vendase, mandarinat e Xarrës, disa lloje verërash që prodhohen po nga rrushi vendas, rakia e Skraparit etj, etj.

Por pikërisht në mes të kësaj përpjekje “epike” të ministrit Panariti dhe disa sipërmarrësve shqiptarë, Rilindja dje ka prezantuar brandin apo markën e vetme “Made in Shqipëria” që është njohur ndërkombëtarisht më në fund: Ajo është “Edi Rama”.

Këtë lajm të madh e ka dhënë vetë ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi, gjatë bashkëbisedim me student të Universitetit Europian të Tiranës. Duke iu përgjigjur pyetjes: “Mendoni se mund t’i ndryshoni ide Kryeministrit Edi Rama, apo ai ka ide fikse dhe nuk ju dëgjon? Përse Edi Rama duhet të mbajë edhe një mandat të dytë si kryeministër”, ajo pa ju skuqur fare faqet tha:

“Kryeministri dëgjon, është një nga ata burra që dëgjon me shumë vëmendje. Unë shumë shpesh mendoj që nëse ka një brand aktual Shqipëria përtej kufirit, unë mendoj që brandi që ka Shqipëria sot quhet Edi Rama.

Në çdo takim ndërkombëtar që kemi shkuar, nga diskutimet që bën, tezat që ngre për diskutim, të bën shumë përshtypje, sepse është nga ata njerëzit që globin e ka te koka. Ai i ka dijet te mendja dhe di t’i përdorë shumë mirë në momente të caktuara.

Dhe për këtë arsye mund të them që bëhet brand, sepse ka aftësinë e të dëgjuarit të përgjithshëm dhe të transmetuarit të idesë te të tjerët. Ai dëgjon. Nëse ka një gjë që do t’i pëlqejë dhe atij i bindet intuita dhe logjika e tij që kjo gjë është e duhur, ai e dëgjon këtë gjë”.