Fjalët e para të Lulzim Bashës si deputet i Kuvendit të Shqipërisë

Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka hyrë për herë të parë si deputet sot në Kuvendin e Shqipërisë, ku ka ndjekur seancën e parë që zgjati vetëm 30 minuta: hapjen e saj nga socialisti Besnik Bare, Himnin e Flamurit, zgjedhjen e deputetëve të rinj si sekretarë dhe ka njoftimin për vazhdimin e seancës pasdite duke zbatuar rregulloren.

Mësohet se Basha ka kërkuar fjalën në seancë, e cila iu dha për pasdite, sipas rregullores, por ai vetë nuk e bëri të ditur se për çfarë do të mbajë qendrim.

Pas daljes nga Kuvendi, i pyetur nga mediat, ai tha se seanca "nuk kishte ndonjë impakt. Ishte një ritual ceremonial të nisjes së seancës, gjithçka normale. Pse kërkova fjalën unë do ta mësoni në seancën e pasdites."

Basha u ul sot në radhën e katërt të sallës, me Genc Pollon në krahun e djathtë dhe me Oerd Bylykbashin në krahun e majtë kurse ish-Kryetari i PD, Sali Berisha, u ul në radhën e dytë si edhe 4 vjet më parë me Jorida Tabakun në të djathtë dhe Tritan Shehun në të majtë.