Uragani Irma, shqiptarët s'e kanë frikë dhe nuk evakuohen, shqetësohet Faber: Besojnë se mund t'i bëjnë ballë, por...

Në një kohë kur popullsia e Florida-s në SHBA po largohet nga zonat ku do të godasë uragani Irma, duket se shqiptarët që kanë emigruar atje nuk bëjnë se s'do të mund ta përballojnë dot atë dhe nuk kanë lëvizuar nga shtëpitë e tyre. Por, ambasadorja shqiptare në SHBA, Floreta Faber, është ndier e shqetësuar dhe ka lëshuar një thirrje në rrjetet sociale se ku ata duhet të kërkojnë në raste emergente.

Mesazhi i plotë i Faber në FB:

"Një Uragan tjetër po kërcënon SHBA-në! Këtë herë pjesa jugore e shtetit të Floridas është në qëndër të vëmëndjes. Autoritetet amerikane po i qëndrojnë shumë afër popullsisë së zonave që parashikohet të preken nga Uragani Irma, dhe një pjese të madhe të popullsisë i është kërkuar të evakuohet.

Gjatë këtyre ditëve jam munduar të qëndroj në lidhje për informacione me përfaqësuesit e organizatave shqiptare në shtetin e Floridës. Ka pak shqiptarë që duket se kanë lëvizur nga banesat e tyre, pjesa me e madhe besojnë që mund t’i bëjnë ballë situatës aty ku janë.

Ju bëj thirrje që të ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale dhe njoftimet e rifreskuara që dalin nga ora në orë me parashikimet e lëvizjes së Uraganit.

Kontaktet e Ambasadës në Uashington 202.223.4942, embassy.washington@mfa.gov.al dhe numri i emergjencës 202.758.9526 janë në dispozicionin tuaj për çdo informacion të mundshëm.

Uroj që kjo situatë të kalojë me sa më pak probleme, për të gjithë popullsinë e prekur nga Uragani, veçanërisht për shqiptarët që kanë lënë jo pak në vëndin e tyre dhe kanë vendosur të jetojnë e punojnë në SHBA.

Floreta Faber
Ambasadore e RSH në Shtetet e Bashkuara"