Lum Taulant Balla në 4 vitet e ardhshme!...

Edmond Spaho do të jetë kryetari i ri i grupit kuvendor të PD-së për 4 vitet e ardhshme, në një rrokadë kokë më kokë me Edi Palokën.

Edmond Spaho është nga ata burra të mirë që pavarësisht ndonjë momentumi, në tërësi i bëjnë nder çdo partie, e sidomos Partisë Demokratike në çdo post…, deri dje. Sot, Zoti. Spaho u vesh me spaletat e një detyre që ai vetë nuk duhet ta pranonte sepse veshja e tij e “burrit të mirë” nuk ia lejon ta përmbushë në 360 gradë të saj, në kushtet ku ndodhet PD-ja sot.

Përkundër Z. Spaho qëndron Taulant Balla.

Në nocionin politik të opozitbërjes, duket se Edi Rama është një hap më para se Lulzim Basha. Në kohën kur Rama ka marrë timonin, tepsinë, garuzhden dhe rilindasit ka nxjerrë edhe një herë lugën nga brezi, Lulzim Basha i përgjigjet kësaj lukunie ujqërish politikenjsh me një Burrë të Mirë. Ndërsa Edi Rama po mpreh shpatat mirë për betejën politike të 4 vitetve të ardhëshme, Lulzim Basha po nxjerr nga arkiva e PD-së “shamitë e bardha” të saj.

Sot përherë të parë ia qava hallin Edmond Spahos, dhe si përherë nuk ia qava aspak hallin Taulant Ballës.

Kur mendova se i vetmi problem në daljen e parë të Lulzim Bashës ishte minutazhi tmerrësisht i shkurtër e acarues në të njëjtën kohë, i fjalimit të tij përbetues për opozitë pa asnjë kompromis, kjo ishte se nuk kisha mësuar ende se çfarë skuadre kishte bërë gati ai për betejën opozitare në parlament. Atëhere kur mendova se përse Lulzim Basha në fjalimin e tij të parë nuk arrin as ti hakërrehet me emër Edi Ramës dhe bandës së tij me 14 hajdutë, kjo vinte sepse ende nuk e dija sesi Lulzim Basha nuk ka ndërmend ta bëjë këtë as politikisht në parlament.

Dhe atëherë kur nuk e mora vesh në botë se çfarë ka ndërmend Lulzim Basha të bëjë në opozitë për 4 vitet ardhshme, kjo ishte sepse ende ai nuk kishte thënë fjalinë “derisa shqiptarët të vendosin të na mandatojnë për të qeverisur”. Fjali më fataliste për një lider opozite se kjo për mua nuk mund të ketë. Sidomos në kohën kur shumica e opinionit publik përfshirë mua, beson se Lulzim Basha thjeshtë ka vendosur bidonin para Këshillit të Ministrave me bindjen se një ditë rradha për Kryeministër do ti vijë, dhe për të kaq është mjaftueshme si aksion për një kryeopozitar.

Të gjitha këto më bënë të besoj se jeta parlamentare e Taulant Ballës nuk do të jetë aspak intesive si ajo e 4 viteve më parë.

Sa për Edi Ramën duket se pasi zbuloi “çunin e mirë” tek Lulzim Basha, ky i fundit nuk e zhgënjeu edhe njëherë kur i vuri përpara për ta replikuar në paralament një burrë zotni, më të mirin e PD-së madje, Z.Edmond Spaho!...