Sesioni i ri parlamentar, zbardhet plani i PD-së: Protesta kundër Gramoz Ruçit dhe Fatmir Xhafës

Për kreun e opozitës, Lulzim Basha, kjo javë do të jetë intensive, pasi i duhet të vendosë për strategjinë që do ndjekë PD-ja për seancën e parë të parlamentit të ri, më 9 shtator si dhe do t’i duhet të zgjedhë emrat që do e përfaqësojnë në organet e Kuvendit, por edhe për funksionarët e grupit parlamentar.

Basha ende nuk ka vendosur për kryetarin e ri të grupit parlamentar, por as për kryetarët apo nënkryetarët e komisioneve parlamentare, të cilët në bazë të rregullores i përkasin Partisë Demokratike. Sesioni i ri parlamentar pritet të nisë me protesta para Kuvendit, të shtunën e 9 shtatorit, ku deputetët do të votojnë për qeverinë e re.

Vendimi në selinë blu pritet të merret në fillim të javës kur do të mblidhet edhe grupi parlamentar, ndërsa ende nuk sqarohet në qoftë se nëpërmjet protestës, demokratët do të synojë të bllokojë seancën parlamentare.

Skenarët e protestës po diskutohen në forumet organizative, ndërsa burime të besueshme theksojnë se po mendohet që ajo të shtrihet brenda dhe jashtë parlamentit, me synim për të pamundësuar votimin e Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit dhe të Fatmir Xhafajt si ministër i Brendshëm. Në krye të protestës do të jenë Shoqata e ish-të Përndjekurve Politikë dhe FRPD.

Ditën që Rama shpalli qeverinë e re, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, reagoi duke theksuar se ai konsolidoi dhe riktheu në pushtet elitën komuniste, ndërsa sipas tij, Shqipëria sot drejtohet nga disa figura famëkeqe komuniste ose pinjollët e tyre, duke përmendur Edi Ramën, Gramoz Ruçin, Fatmir Xhafajn, Ditmir Bushatin dhe Sonila Qaton.

Ndaj, seanca e parë parlamentare për konstituimin e qeverisë së re nuk do të jetë e qetë, pasi deputetët demokratë do të kërkojnë me ngulm që të mbajnë fjalime, të cilat do të shënjestrojnë me akuza kryesisht Gramoz Ruçin dhe Fatmir Xhafajn.