U largua nga rrjeti i drogës për një jetë të re, shqiptari i bëjnë atentat në Itali

Një 29-vjeçar shqiptar ka rënë pre e një atentati në Itali, pasi dyshohet se kishte vendosur të largohej nga një rrjet i trafikut të drogës dhe të niste një jetë të re.

Sipas mediave italiane, shqiptari me inicialet K. R. u qëllua me armë zjarri në shpatull më 1 korrik, në zonën Zianigo di Mirano, në Venecia. Ai ka mundur t’i shpëtojë sulmit pasi është fshehur në një zonë me bimësi, pranë banesës së babait të ish-të dashurës së tij.

Hetimet e zhvilluara nga Karabinierët e Venedikut, nën koordinimin e Prokurorisë, kanë çuar në arrestimin e dy personave, 44 dhe 39 vjeç, të dy shtetas shqiptarë. Ata akuzohen për tentativë vrasjeje dhe mbajtje të paligjshme të armës së zjarrit.

Menjëherë pas ngjarjes, autoritetet italiane gjetën në banesat dhe automjetet e të arrestuarve municione të të njëjtit kalibër me plumbin që kishte goditur viktimën, si edhe materiale që lidhen me aktivitetin e trafikut të drogës.

Sipas hetuesve, sulmi dyshohet se lidhet me një rrjet të trafikut të drogës që operonte në Mirano dhe zonat përreth. Në këtë rrjet, sipas hetimeve, ishin të përfshirë edhe të arrestuarit dhe i plagosuri, i cili kishte vendosur të shkëputej prej tij për të nisur një jetë larg aktivitetit kriminal.

Mediat italiane raportojnë se kërcënimet ndaj 29-vjeçarit kishin nisur që në shkurt të vitit 2026 dhe, pas dështimit për ta bindur të rikthehej në aktivitetin kriminal, dyshohet se autorët organizuan sulmin e armatosur.

Të dyshuarit, të cilët sipas hetimeve ishin të armatosur me pistoleta, i zunë pritë shqiptarit gjatë natës së 1 korrikut, por ai arriti të largohej dhe të fshihej, duke i shpëtuar tentativës për ta vrarë.

Dy të arrestuarit ndodhen aktualisht në burgjet e Venecias dhe Padovës, ndërsa procedurat hetimore dhe penale vijojnë.