Netanyahu do t'i japë Trump-it informacione mbi objektin bërthamor iranian në malin e Kazmës
Kryeministri izraelit BenjaminNetanyahu pritet t'i japë Presidentit Donald Trump informacione të inteligjencës që, sipas një burimi në Jerusalem, tregojnë se Irani po zgjeron aktivitetet bërthamore në objektin misterioz të njohur si Mali i Kazmës dhe se regjimi iranian nuk po tregohet i sinqertë në lidhje me dëshirën për të vazhduar negociatat e paqes.
Ndërsa Netanyahu përgatitet të takohet me Trump-in të hënën, lufta me Iranin dhe programi bërthamor i Republikës Islamike pritet të jenë ndër temat kryesore të diskutimit.
Gjatë takimit, ekipi i Netanyahu-t do të paraqesë prova mbi aktivitetin më të fundit bërthamor të Iranit dhe do të përpiqet të tregojë se Teherani nuk po negocion me mirëbesim, tha burimi.
Sipas Wall Street Journal, Izraeli ka siguruar prova se centrifuga bërthamore kanë mbërritur së fundmi në kompleksin e fshehtë në malin e Kazmës, për herë të parë që nga fillimi i ndërtimit të tij në vitin 2020.
Objekti, i cili ndodhet më shumë se 90 metra nën malin Kolang, pranë kompleksit bërthamor të Natanzit, prej kohësh dyshohet se është pjesë e programit atomik të Iranit.
Më parë nuk kishte prova që tregonin aktivitet bërthamor në këtë vend, gjë që Trump e kishte përmendur si arsye pse objekti nuk ishte goditur gjatë sulmeve të mëparshme ndaj Iranit.
Javën e kaluar, Trump u përpoq të minimizonte raportimet për aktivitet në malin e Kazmës, duke u thënë gazetarëve se Shtetet e Bashkuara nuk kishin informacion për këtë.
Megjithatë, presidenti kohët e fundit ka lënë të kuptohet se është i gatshëm të urdhërojë bombardimin e këtij objekti. Sipas raportimeve, forcat amerikane janë gjithashtu të përgatitura të ndërmarrin një operacion tokësor për të marrë nën kontroll qindra kilogramë uranium të pasuruar, që besohet se ndodhen të depozituara në Iran.
Burimi në Jerusalem shtoi se Izraeli do të paraqesë gjithashtu prova se Irani tashmë ka nisur rindërtimin e programit të tij të raketave dhe dronëve, i cili ishte dëmtuar rëndë nga sulmet e përsëritura ajrore amerikane.
Sipas këtij informacioni, synimi është të tregohet se Irani nuk ka ndërmend të heqë dorë nga ambiciet e tij bërthamore apo nga programi i raketave gjatë negociatave për armëpushim me Shtetet e Bashkuara.
Trump vendosi gjatë fundjavës të pezullojë fushatën e bombardimeve ndaj Iranit, e cila kishte zgjatur pothuajse dy javë, ndërsa u shfaqën mundësi për bisedime të reja me synimin për t'i dhënë fund sulmeve të Teheranit në Ngushticën e Hormuzit.
Përveç lëvizjeve të dyshimta të Iranit, Netanyahu pritet gjithashtu ta informojë Trump-in mbi përparimin e përpjekjeve për ruajtjen e armëpushimit në Liban dhe në Gaza, ku veprojnë grupet e armatosura të mbështetura nga Irani.
Kryeministri izraelit do të qëndrojë në Uashington edhe të martën, ku do t'i bashkohet Trump-it dhe udhëheqësve të tjerë botërorë për të bërë homazhe për senatorin e ndjerë Lindsey Graham. / NewYork Post – Syri.net