SYRI TV/ Veliaj takim me avokatët në burgun e Durrësit, Brendon: Do të cojmë dosjen në Strasburg
Për gati 5 orë ka zgjatur takimi i ekipit të avokatëve të Erion Veliajt në burgun e Durrësit. Dy kompani ligjore të huaja, një britanike dhe një amerikane, në bashkëpunim me avokatët shqiptarë të Veliajt, do ta dërgojnë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, me pretendimin për shkelje procedurale në çështjen e kryebashkiakut.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në muajin shtator do t’i drejtohet Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Dy kompani ligjore të huaja, një britanike dhe një amerikane, në bashkëpunim me avokatët shqiptarë të Veliajt, po përgatisin dosjen që do t’i paraqitet gjykatës ndërkombëtare. Mbrojtja pretendon se çështja do të argumentohet mbi bazën e shkeljeve të pretenduara të të drejtave procedurale, ndërsa pritet që në shtator të ndërmerren hapat për referimin e çështjes në Strasburg.
BEN BRENDON, AVOKAT I STUDIOS LIGJORE ANGLEZE: Kjo është hera e parë që ne e kemi takuar Erionin. Ka qenë një takim produktiv. Sot kemi diskutuar për dërgimin e çështjes në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, për mënyrën e qëndrimit të tij në burg. Ne shpresojmë që ai të lirohet dhe të mund të vijojë jetën e tij jashtë burgut dhe të vijojë detyrën e tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Gati pesë orë ka zgjatur takimi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, me avokatin anglez dhe atë shqiptar, në burgun e Durrësit, ku qëndron kryebashkiaku.