SYRI TV/ Diskutohet keqpërdorimi i burimeve shtetërore, përfaqësuesit e OSBE-së: Të ndahet shteti nga partia

OSBE ka ngritur alarmin se mungesa e ndarjes parti-shtet, duke keqpërdorur burimet shtetërore, është shkatërruese për çdo proces zgjedhor. Komisioni i Reformës Zgjedhore zhvilloi sot një seancë dëgjimore me ekspertë të OSBE-ODIHR, të cilët sollën raste konkrete për këtë problematikë, si bonusi për pensionistët, falja e gjobave dhe përdorimi i administratës në fushatë, duke krijuar një garë të pabarabartë. Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, u justifikua me faktin se nuk ka ligj të qartë, ndërsa përfaqësuesit e opozitës kërkuan nxjerrjen në paligjshmëri të rrjetit të patronazhistëve.

Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore zhvilloi një tryezë me përfaqësues të OSBE-ODIHR dhe shoqërisë civile, me fokus parandalimin e përdorimit të burimeve shtetërore në zgjedhje. Njëzëri, të gjithë përfaqësuesit e OSBE-ODIHR që mbajtën fjalën e tyre kërkuan ndarjen e partisë nga shteti, duke deklaruar se përdorimi i burimeve shtetërore ka vrarë zgjedhjet e lira. Ata sollën shembuj se si qeveria Rama keqpërdori këto burime, me dhënien e bonusit për pensionistët, faljen e gjobave dhe përdorimin e administratës në fushatë, duke krijuar një garë të pabarabartë në zgjedhje.

Anna: Duhet ndarje e shtetit nga partia në pushtet. Shteti duhet të kufizohet nga çdo lloj shpalljeje që synon të ndikojë votuesit, lançimi i politikave, vendime që krijojnë klientelizëm, angazhim apo punësim, alokime të mëdha buxhetore, përfitime sociale, grante, leje ndërtimi, falje gjobash. Besoj që të gjithë ju e dini se për çfarë po flas. Kemi problemin e nëpunësve publikë, ministra që shfaqen në aktivitete publike. Duhet meritokraci në punësime.

Por komisioneri shtetëror i zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, u justifikua për mosmarrjen e masave në raste të shkeljeve të Kodit Zgjedhor, duke thënë se ka nevojë për ndryshime të tjera ligjore, që të specifikohet kuptimi i burimeve publike dhe ndarja e aktiviteteve të fushatës zgjedhore me ato shtetërore.

Deputetët e opozitës kërkuan ndëshkimin e rrjeteve të patronazhimit dhe theksuan se problemi kryesor nuk mbetet ligji, por moszbatimi i tij nga ana e kryeministrit Edi Rama. Si shembull sollën rastin e shkeljes së konsensusit të reformës territoriale pak ditë më parë, në një kohë kur Partia Socialiste vijon punën në mënyrë të njëanshme.

Ndërsa Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore ka mandat deri në muajin nëntor, bashkëkryetari socialist, Damian Gjiknuri, bëri thirrje që reforma elektorale të mbyllet brenda vitit, për të bërë më efikas zbatimin e saj.