SPAK kontrolle dhe sekuestrime në Bashkinë e Tiranës

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka zhvilluar kontrolle në ambientet e Bashkisë së Tiranës, në kuadër të hetimeve për dosjen e njohur si “Veliaj 2” ku pjesë e hetimit ka qenë edhe i vëllai Arbër Veliaj.

Gazetari i Syri tv Fatjon Gjinaj mëson se nga ana e SPAK janë kryer kontrolle, por edhe sekuestrime në Bashkinë e Tiranës.

Ndërsa SPAK mbetet i rezervuar për të dhënë detaje.

Sipas burimeve, gjatë operacionit janë marrë dhe sekuestruar dokumentacione mbi udhëtime zyrtare të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, si dhe dokumentacion që lidhet me dietat.

Mësohet se hetuesit e SPAK kanë kërkuar dokumentet përkatëse si pjesë e veprimeve hetimore, ndërsa materialet e sekuestruara do të analizohen në vijim.

Teksa kryebashkiaku ndodhet në gjykim për vepra penale si korrupsion, pastrim parash apo fshehje pasurie, hetimet kanë vijuar për episode të tjera nën dyshimet për abuzim me detyrën apo përdorimin e saj për interesa private.